Filluan punimet për ndërtimin e ngrohtores së re në Gjakovë

Filluan punimet për ndërtimin e ngrohtores së re në Gjakovë

Sot, filluan punimet për ndërtimin e ngrohtores së re me biomasë në qytetin e Gjakovës.

Kjo ngrohtore do të ofrojë furnizim me ngrohje të cilësisë së lartë për 40% të qytetarëve të Gjakovës, do të mundësojë ndotje të pakët të ajrit si dhe do të bëjë prodhimin e një sasie të caktuar të energjisë elektrike.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, u shpreh e lumtur për fillimin e këtij projekti, i cili do të ndikojë në mbrojtjen e mjedisit.

“Për ne është shumë e rëndësishme të vazhdojmë të implementojmë projekte, të cilat do të krijojnë një ambient të pastër për qytetarët e Kosovës” citohet të ketë thënë ajo sipas komunikatës së Kuvendit Komunal të Gjakovës.

Ndërkaq, kryetari i komunës, Ardian Gjini, e vlerësoi fillimin e ndërtimit të ngrohtores së re të qytetit, si një moment tejet të rëndësishëm.

“Ky projekt është shumë i madh, por nuk është i vetmi që mbështetet nga Bashkimi Evropian në Kosovë, prandaj jemi shumë falënderues ndaj BE-së" u shpreh ai.

Ndër të tjera, ai e ka falënderuar ish-drejtorin e Ngrohtores, Admir Shala, për punën e tij të jashtëzakonshme për ndërmarrjen dhe për jetësimin e këtij projekti.

Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian dhe do të finalizohet në fund të vitit të ardhshëm.