Demhasaj: Kosova ka nevojë për ligjin që financon partitë politike

Demhasaj: Kosova ka nevojë për ligjin që financon partitë politike

Organizata Çohu së bashku me Grupin për Studime Juridike dhe Politike  si pjesë e Koalicionit të OJQ-ve për Javën Kundër Korrupsion 2019 kanë mbajtur sot tryezën e diskutimit: “Transparenca në financimin dhe në procesin e auditimit të partive politike: Si qëndron Kosova në këtë aspekt?”.

Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv në Organizatën Çohu, prezantoi punën e kësaj organizate që në fokus ka pasur monitorimin dhe hulumtimin e financave të partive politike në Kosovë. Në anën tjetër më theks të  Demhasaj hapi diskutimin për projektligjin për financimin e partive politike, me ç’rast edhe prezantoi rekomandimet që organizatat jo qeveritare kishin lidhur me këtë projektligj.

Sipas tij Kosova ka nevojë për një ligj të ri që rregullon këtë fushë.

Ish-kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike në Kuvendin e Kosovës, Driton Selmanaj, tha se raportet e auditimit treguan se asnjë parti politike nuk ka kontabilist të certifikuar dhe nuk kanë pasqyra financiare të qarta.

Sipas tij kompanitë që kryejnë auditimin nuk  mund të hetojnë financat ato vetëm i auditojnë ato.

“Duhet të fillojë një ndërveprim institucional që të kalojmë këtë sfidë. Institucionet përgjegjëse duhet të hetojnë financat e partive politike. Tek  ne duket që kemi lidhje klienteliste mes bizneseve dhe partive politike”, tha Selmanaj.

Yll Buleshkaj, Drejtor në Zyrën për Regjistrim dhe Çertifikim të Partive Politike në KQZ tha se ky institucion publikon raportet financiare vetëm pas auditimit dhe publiku po ka vështirësi të ketë qasje në këto raporte.

“Këtë vit nuk është gjendja keq, raportet financiare janë dorëzuar ne jemi duke pritur procesin e audititmit. Shpresoj që në qershor të jenë gati. Në zgjedhjet e fundit asnjë parti nuk është vonuar në dorëzimin e  raporteve financiare të gjitha. Ne nuk jemi të thirrur të analizojmë ato, auditori pritet të bëjë vlerësimin”, ka thënë Buleshkaj.

Samuel  Paice  përfaqësues nga Ambasada Britanike tha se është jetike që auditimi i financave të  bëhet në mënyrën e duhur.

Sipas tij rregullimi adekuat ligjor i financimit duhet të jetë i prioritet i qeverisë së re. “Ne si Ambasadë Britanike nuk do të heqim dorë për të ndihmuar Kosovën që reformojë procesin e financimit të partive politike”, ka thënë Paice.

Gjithashtu  Përparim Kryeziu, hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, tha se raportet e auditorit tregojnë për shkelje flagrante të partive politike.

“Raporti i auditorit i ka vlerësuar të gjitha partitë politike negativisht. Asnjë nga partitë nuk kanë kryer procedurat e tenderimit gjatë blerjeve. Asnjë nga subjektet nuk kanë bashkangjitur dokumente shtesë për vlerat e larta të shpenzimeve të cilat arrijnë shumën e gjysmë milioni”, ka thënë ai.

Pjesë e panelit ishte edhe Ondřej Cakl, ekspert mbi transparencën financiare të partive politike, nga Transparency International në Republikën Çeke cili shpalosi praktikat e vendeve të tjera në procesin e financimit.


MË SHUME NGA Aktuale