Dema nderohet me titullin “Ambasador i Paqes, Edukimit dhe Shkencës”

Dema nderohet me titullin “Ambasador i Paqes, Edukimit dhe Shkencës”

Në një ceremoni solemne të organizuar në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, rektori i këtij universiteti, prof. dr. Marjan Dema është nderuar me titullin “Ambasador i Paqes, Edukimit dhe Shkencës”, nga Komiteti Botëror i Paqes.

Për përzgjedhjen e tij si ambasador i këtij Komiteti, rektori Dema tha ndjehet shumë i nderuar.

“Unë deri me tani kam pranuar disa çmime, ndër të tjera: çmimin “Nderi i qytetit të Klinës”, urdhrin “Oficer i Palmës Akademike” nga presidenti i Francës, si dhe “Nderi i Mirditës”. Mirëpo, ky çmim për mua është i veçantë sepse paqja në jetën time gjithmonë ka zënë dhe do të zë një vend të rëndësishëm”, tha ai.

Zëvendës presidenti i Komitetit Botëror të Paqes, dr. Rabit Sadiku, i cili ia dorëzoi rektorit këtë titull, tha se ndihet i privilegjuar që këtë titull ia dhuron një misionari të paqes e dijes, siç është rektori Dema.

“Ndihemi i privilegjuar që në këtë ceremoni të veçantë më jepet rasti që në emër të Komitetit të Paqes në 202 vende të botës, të nderojmë rektorin e Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema”, tha ai.

Në këtë ceremoni u nënshkrua edhe marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim, e cila do të krijojë mundësi për shkëmbim reciprok të mësimdhënësve, studentëve dhe stafit tjetër për ligjërata, vizita dhe shkëmbimin e përvojave me universitetet e ndryshme frankofone nga Franca dhe Zvicra, e mundësi të tjera kulturore e akademike.

Për të nderuar rektorin në këtë ceremoni erdhi edhe ish-deputeti i kantonit të Gjenevës, Eric Leyvraz.

Titulli “Ambasador i Paqes, Edukimit dhe Shkencës” ndahet nga Komiteti Botëror i Paqes për personalitetet që kontribuojnë për paqen, edukimin dhe shkencën.