Komisioni Maqedoni V. – Greqi, ende pa rezultate

Komisioni Maqedoni V. – Greqi, ende pa rezultate

Ndonëse flitet me krenari për Marrëveshjen e Prespës, akoma nuk ka dhënë rezultate Komisioni ndër-disciplinor që sipas kësaj marrëveshjeje, duhet t’i shqyrtojë librat e historisë në Maqedoninë e Veriut dhe Greqi. Fajin për ngecje, kreu i komisionit maqedonas, Viktor Gaber ia hedh komisionit grek.

"Ky komision ekziston. Punojmë vazhdimisht në pjesën maqedonase. Presim të formohet pjesa greke, sepse u paralajmëruan ndryshime në përbërjen e saj. Shpresojmë që kjo të ndodhë shpejtë", deklaroi Viktor Gaber, Klubi i diplomatëve (2:25-2:52)

Në shënimin e 50 vjetorit të diplomacisë maqedonase, Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov theksoi se politika e jashtme udhëhiqet nga vizioni për hapjen e negociatave me BE-në. Dimitrov me kritika për Ministrinë e financave.

"Kjo shtëpi vazhdimisht është nënvlerësuar nga Ministria e Financave edhepse, të mos e marrim parasysh diplomacinë ekonomike, kur shtëpitë e agjencive ngritën rejtingun kreditor të shtetit kryesisht cituan sukseset e politikës së jashtme. Mendoj se në afat të mesëm dhe të gjatë do të na duhet një ndryshim i dukshëm në trajtimin e ministrisë në kuadër të buxhetit të përgjithshëm", tha Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.

Ambasadori më i vjetër në vend, Milan Jazbec tha se karakteri multi-etnik dhe multi-gjuhësor i vendit është më e mira që mund ta ofrojmë në BE.

"Jemi shtet multi-etnik dhe multi-gjuhësor. Ashtu siç tha Papa para Klubit diplomatik kur e vizitoi Maqedoninë e Veriut, karakteri shumë-etnik dhe shumë-gjuhësor i vendit tuaj është thelbësor, krenohuni me të. Është pjesa më e mirë që do ta sjellni me integrimin në BE", tha Milan Jazbec, Ambasador i Sllovenisë.

Shënimi i 50 vjetorit të diplomacisë po e gjen vendin në një periudhë kur në shumë vende të botës nuk kemi ambasadorë. Autoritetet paralajmëruan se kjo çështje do të zgjidhet para festave të fundvitit.