Shfaqja “Pantollonat e Kangusë”, bënë turne në pesë qytete të Kosovës

Shfaqja “Pantollonat e Kangusë”, bënë turne në pesë qytete të Kosovës

Shfaqja “Pantollonat e Kangusë” është duke bërë turne në pesë qytete të Kosovës: Kaçanik, Drenas, Lipjan, Malishevë dhe Shtime.

Si pjesë e projektit për realizimin e kësaj shfaqjeje është edhe turneja në këto vende ku fëmijët mund ta shijojnë shfaqjen për fëmijë më të re të Dodonës “Pantallonat e Kangusë” që ka për temë ngacmimin te fëmijët.

“Pantallonat e Kangusë”, të premten, më 6 dhjetor ishte në Drenas, ku shfaqjen në dy termine e shikuan rreth 500 fëmijë.

Fëmijëve dhe mësueve të tyre po u shpërndahen edhe fletëpalosje me informata për shfaqjen dhe me këshilla për parandalimin e nagcmimit nëpër shkolla për fëmijët, arsimtarët dhe prindërit.

Mëposhtë mund t’i lexoni këto këshilla që janë marrë nga Shoqata Amerikane e Psikologëve – APA.

KËSHILLA PËR PARANDALIMIN E NGACMIMIT NË SHKOLLA

Ngacmimi (bullying) është sjellje agresive që bëhet me qëllim dhe ka të bëjë me çekuilibrimin e fuqisë apo forcës. Është një sjellje që përsëritet dhe mund të jetë fizike, verbale, ose të paraqitet në forma të ndryshme në marrëdhënie në mes të fëmijëvë. Parandalimi dhe ndalimi i ngacmimit kërkon një angazhim në krijimin e një mjedisi të sigurt, ku fëmijët mund të përparojnë, në shoqëri dhe në shkollë, pa pasur frikë.

KËSHILLA PËR MËSUESIT DHE PERSONELIN SHKOLLOR

Rrini të informuar dhe të vëmendshëm

Nëse një mësues vëren ngacmim në klasë, ai/ajo duhet të ndërhyjë menjëherë për ta ndaluar atë, ta shënojë incidentin dhe ta informojë personelin adekuat të shkollës në mënyrë që incidenti të mund të hetohet.

Kyçini nxënësit dhe prindërit

Nxënësit dhe prindërit duhet të jenë pjesë e zgjidhjes dhe të kyçen në ekipe të sigurisë dhe ekipe kundër ngacmimit. Prindërit, mësuesit dhe personeli shkollor mund t’u ndihmojnë nxënësve të kultivojnë sjellje pozitive dhe t’u mësojnë atyre aftësi në mënyrë që ata të dinë se si të ndërhyjnë kur ndodh ngacmimi.

Caktoni pritshmëri pozitive mbi sjelljen e nxënësve dhe të rriturve

Shkollat dhe klasat duhet t’u ofrojnë nxënësve një mjedis të sigurt mësimi. Mësuesit duhet t’ua përkujtojnë në mënyrë të qartë nxënësve se ngacmimi nuk pranohet në shkollë dhe sjelljet e tilla do të sjellin pasoja.

KËSHILLA PËR PRINDËRIT

Për prindërit e fëmijëve që ngacmohen.

Vëzhgojeni fëmijën për të parë nëse kanë shenja që tregojnë se janë të ngacmuar

Fëmijët mund të mos tregojnë që janë të ngacmuar. Shenjat e ngacmimit mund të jenë: rrobat e grisura, hezitimi për të shkuar në shkollë, humbja e oreksit, ankthet, të qarit, ose depresioni dhe ankthi i përgjithshëm. Ajo çka është më me rëndësi është t’ia bëni me dije fëmijës tuaj se do ta ndihmoni atë dhe se ata nuk duhet ta kthejnë ngacmimin.

Për prindërit e fëmijëve që ngacmojnë

Ndaloni ngacmimin sa nuk ka filluar

Mund të ndodhë që fëmija i juaj nuk mund t’i lexojë shenjat shoqërore dhe nuk e kupton që ajo çfarë është duke bërë, po e lëndon dikë. Përkujtojani fëmijës tuaj se ngacmimi mund të ketë pasoja ligjore.

Bëjeni shtëpinë tuaj mjedis pa ngacmime

Fëmijët i mësojnë sjelljet nga prindërit. Ekspozimi ndaj sjellejeve agresive apo mjedisit shtëpiak tejet të rreptë, mund të shkaktojë te fëmijët afinitet për të ngacmuar në shkollë. Prindërit/kujdestarët duhet të japin shembuj pozitiv të marrëdhënieve njerëzore për fëmijët, me mënyrën se silleni me ta dhe me të tjerët.

KËSHILLA PËR FËMIJËT

Trego për ngacmimin

Është e rëndësishme që nxënësit t’i tregojnë prindit ose një të rrituri të cilit i besojnë, se janë të ngacmuar. Është e rëndësishme që fëmijët ta mbajnë në mend se ngacmimi është i gabuar dhe duhet të trajtohet nga një i rritur.

Mos e kthe ngacmimin

Është vështirë që të mos kthehet ngacmimi, por dy gabime nuk e përmirësojnë situatën. Mundohu të mos tregosh zemërim apo lotë. Apo, thuaji qetë ngacmuesit që të ndalet së ngacmuari apo thjesht largoju.

Mos rri vetëm

Atëherë kur është e mundur, largohu nga vendet ku nuk ka nxënës ose mësues të tjerë. Mundohu të shkosh në banjo me ndonjë shok apo shoqe, ose të shkosh për shujta me shokë. Nëse udhëton me autobus, ulu diku përpara. Nëse e di që është një nxënës që i pëlqen të ngacmojë në vendin ku ti ecë zakonisht, apo ku ha ndonjë shujtë, përpiqu të përdorësh ndonjë rrugë tjetër për aty.

MOS HARRO, NËSE JE I NGACMUAR NGA NDONJË NXËNËS, TREGOJI MËSUESIT, ARSIMTARIT, DREJTORIT APO PRINDIT TËND.

Ky projekt u mbështet nga Komuna e Prishtinës si dhe programi Kultura për Ndryshim që financohet e menaxhohet nga Bashkimi Evropian ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia e Goethe Institut.