Ligji për Prokurorinë Publike rikthehet në procedurë parlamentare

Ligji për Prokurorinë Publike rikthehet në procedurë parlamentare

Nga e hëna propozim-Ligji për Prokurorinë Publike kthehet në procedurë parlamentare. LSDM-ja nuk do ta presë më opozitën për gjetjen e konsensusit.

Aktualisht propozimi ndodhet në fazën e shqyrtimit të amendamenteve, procedurë kjo e cila ishte ndërprerë me qëllim gjetjen e konsensusit mes partive politike parlamentare, përcjell Gazeta Express nga Alsat.

Nga 65 amendamente të propozuara, 25 prej tyre janë shqyrtuar, ndërsa kanë mbetur 40 amendamente të cilët sipas partisë më të madhe opozitare, VMRO-DPMNE kanë të bëjnë me çështjet kyçe të ligjit.

Opozita nuk është e njoftuar me paralajmërimet e socialdemokratëve për kthimin e ligjit.

Burime nga grupi parlamentar i VMRO-së thonë se kthimi i ligjit pa konsultime me opozitën rëndon procesin dhe se socialdemokratët këtë veprim e bëjnë sa për t’u arsyetuar para faktorit ndërkombëtar.

Kreu i Komisionit për Çështje Evropiane, Artan Grubi thotë se nuk është i njoftuar me paralajmërimet e LSDM-së.

Grubi shton se në rast se njoftohet zyrtarisht, do të veprojë në përputhje me rregulloren.

Propozim-Ligji për Prokurorinë Publike tashmë një vit gjendet në procedurë parlamentare.

Pushteti dhe opozita kanë qëndrime të kundërta, ndërsa formuan grupe pune me qëllim harmonizimin e qëndrimeve. Deri tani negociatat nuk kanë sjell rezultat.

Pushteti kërkon që Prokuroria për Krim të organizuar dhe korrupsion të ndahet në dy departamente, ndërsa opozita kundërshton duke kërkuar një Prokurori me të cilën do të udhëheq kuadër i propozuar nga opozita.

Lëndët e PSP-së për të cilat pretendohej zgjidhje ligjore, tashmë janë në duart e kryeprokurorit Ljubomir Joveski i cili i ka ndarë prokurorëve të njëjtë, pas kalimit të tyre nga Specialja në Prokurori të rregullt, ndërsa për fatin e ekipit të PSP-së, në procedurë parlamentare është Ligji për shërbim në Prokurorinë Publike me çka pritet të zhbllokohet ngërçi financiar në Speciale.

Lidhur me sistematizimin e të punësuarve në Prokurori Publike, opozita kërkon që në fillim të punësuarit t’i nënshtrohen filtrit të konfliktit të interesit dhe më pas të sistematizohen, ndërsa hetuesit të kthehen në MPB.