Kosova hap ambasadën në Oslo të Norvegjisë

Kosova hap ambasadën në Oslo të Norvegjisë

Ambasadori i parë i Kosovës Uliks Emra, sot i ka dorëzuar Letrat Kredenciale tek lartmadhëria e tij Mbreti i Norvegjise Harald V, duke u akredituar si Ambasador Fuqiplotë e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Norvegjisë.

Ambasadori, duke përcjellur përshëndetjet e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe popullit të Kosovës, falënderoi Lartmadhërinë e tij Mbretin Harald V për kontributin e pakursyer dhe gjithëpërfshirës që Mbretëria e Norvegjisë i ka ofruar vendit gjatë gjithë këtyre viteve.

“Mbretëria e Norvegjisë është njëra ndër vendet e para e cila e ka njohur Republikën e Kosovës, dhe për këtë populli i Kosovës do të jetë mirënjohës përjetësisht. Relacionet ndërmjet dy vendeve janë të shkëlqyeshme, ndërsa synimi është që ato të thellohen edhe më tej në fusha specifike”.

Nga ana e tij Lartmadhëria e tij Mbreti Harald, pasi shprehu përshëndetjet e tij të përzemërta për presidentin Thaçi, theksoi se janë shumë të lumtur për vendimin e Republikës se Kosovës për hapje të Ambasadës në Oslo dhe se ky është një moment i veçantë në relacionet ndërmjet dy vendeve. Mbretëria e Norvegjisë do të vazhdojë të përkrah Kosovën në të gjitha fushat dhe për ketë mund te jeni shume te sigurt”.

Uliks Emra, ka përfunduar fakultetin Juridik si dhe Masterin në Shkencat Penale në Universitetin e Prishtinës, ndërsa specializimin në Diplomaci në Universitetin e Zagrebit.

Ai është diplomat i karrierës, i cili ka kryer funksione të rëndësishme në institucionet shtetërore dhe në hierarkinë e lartë të MPJ. Ai Ka qenë zëvendësdrejtor i Përgjithshëm, u.d i Drejtorit të Përgjithshëm, Zëvendës Ambasador në Kroaci, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Kosovës në Kroaci, sekretar në Institutin për Hulumtimin e krimeve të luftës.