Obama u kërkon të rinjve të angazhohen për klimën e planetit

Obama u kërkon të rinjve të angazhohen për klimën e planetit

Ishujt dhe vendet e varfra bregdetare që përballen me efektet më të rënda të ndryshimeve të klimës, janë “thirrja morale për pjesën tjetër të botës” që të ndërmarrë veprime të menjëhershme, tha ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, në një konferencë për liderët e rinj në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur, të organizuar nga Fondacioni “Obama”.

Vendet ishuj që mund të zhduken për shkak të rritjes së niveleve të detit, të enjten, akuzuan vendet e pasura për humbjen e interesimit ndaj urgjencës së krizës klimatike.

Në Madrid të Spanjës, përfaqësues të të gjitha vendeve të botës, po diskutojnë për çështjen e klimës në kuadër të një samiti dy-javor të organizuar nga Kombet e Bashkuara.

“Zëri juaj, për atë që po ndodh këtu dhe tani, është një thirrje morale për pjesën tjetër të botës. Është e rëndësishme të gjeni mënyra për të treguar atë që po e shihni dhe humbjet që po ndodhin”, tha ish-presidenti, Barack Obama.

Shtetet e Bashkuara nënshkruan Marrëveshjen e Parisit më 2015 gjatë presidencës së Obamës, duke premtuar një ulje prej 26-28% të emetimeve deri në vitin 2025.

Por, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, javën e kaluar paraqiti planet për t’u tërhequr nga pakti.

Marrëveshja e Parisit synon të shmangë skenarët më katastrofikë të parashikuar nga shkencëtarët e klimës, duke kufizuar rritjen e temperaturave mesatare globale të shkaktuara nga djegia e karburanteve fosile.

Obama tha se i takon të rinjve në botë të drejtojnë akuzat për trajtimin e ndryshimeve të klimës, duke fajësuar gjeneratën e mëparshme për dështim në trajtimin e kësaj çështjeje.

“Oqeanet do të rriten dhe kjo do të zhvendosë njerëzit. Kështu që ne do të duhet të parashikojmë dhe të kujdesemi për disa nga pasojat, përfshirë migrimet”,tha Obama.