Fondet për shërim jashtë vendit Jo transparente

Fondet për shërim jashtë vendit Jo transparente

Lista e pritjes për të përfituar nga fondi për trajtim jashtë institucioneve publike është e gjatë, ndërsa jo të gjithë pacientët përfitojnë nga ky fond. Po ashtu, ka dyshime se ky fond nuk ndahet në mënyrë transparente, si dhe nuk ka të dhëna nëse mjetet e shpenzuara janë në linjë me shërbimet e ofruara në institucionet private.

Kështu është thënë se konferencën e titulluar “Efekti i korrupsionit te qytetarët: Diskutimi i Fondit për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike të Kosovës”, të organizuar nga instituti Columbus në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit 2019.

Saranda Ramaj nga Instituti Columbus, tha se ka dyshime se fondi për trajtim jashtë vendit ndahet në mënyrë jo transparente.

Po ashtu, ajo ka bërë të ditur se një marrëveshje në mes Kosovës dhe Turqisë, sipas të cilës pacientët do të trajtoheshin pa pagesë nuk është shfrytëzuar asnjëherë.

Kurse, drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi, tha se ka një trend rënës të numrit të referimeve për trajtim jashtë institucioneve publike.

Ai bëri të ditur se vetëm në Klinikën e Kardiokirurgjisë në vitin 2017, kishte pasur 564 referime, në vitin 2018 kishin qenë 11 referime, ndërsa në vitin 2019 janë vetëm 44 referime. Kjo rënie e numrit sipas tij, ka të bëjë me investimet që ShSKUK-ja ka bërë në këtë klinikë.

Sa i përket vlerës monetare, ai tha se në vitin 2019 nuk kalohet shifra prej 11 milionë euro.

Përfaqësuesi i Odës së Mjekëve të Kosovës, Naser Gjonbalaj, tha se institucionet që ofrojnë shërbime shëndetësore nuk duhet të shihen si publike dhe private, pasi sipas tij, janë institucione të vendit.

Kurse, Besim Kodra nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë, tha se kanë pranuar ankesa të mëdha nga pacientët të cilët nuk arrijnë të marrin shërbime nga fondi për trajtim jashtë institucioneve publike.

Ai ka propozuar që fondi për trajtim jashtë vendi të jetë në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe jo në kuadër të Fondit për Sigurime Shëndetësore.

Konferenca e titulluar “Efekti i korrupsionit te qytetarët: Diskutimi i Fondit për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike të Kosovës”, është organizuar nga instituti Columbus në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit 2019.