Vrasja e rëndë në Viti për motive pronësore

Vrasja e rëndë në Viti për motive pronësore

Besir, Samet, Fisnik, Ismet dhe Izri Ismajli, janë deklaruar të pafajshëm se në maj të këtij viti e kanë privuar nga jeta, tani të ndjerin Muhamet Ismajli.

Lidhur me këtë rast, të martën, është mbajtur seanca fillestare në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ata akuzohen se në maj të këtij viti, në fshatin Sodovinë e Çerkezëve të Komunës së Vitisë, me dashje, në bashkëkryerje, për motive pronësore, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Muhamet Ismajli.

Në këtë rast, për lëndim të lehtë trupor po akuzohet edhe Edmond Ismajli, i cili po ashtu në seancën fillestare, ka mohuar fajësinë me të cilën e ngarkon prokuroria.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arben Kadriu, të akuzuarit e kanë mohuar fajësinë me të cilën ngarkohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Ymer Huruglica, Skender Musa, Ilmi Dalipi, Shemsedin Piraj dhe Elvira Haziri i kanë propozuar gjykatës që ndaj të akuzuarve të tyre për vrasje të rëndë, të ndërpritet masa e paraburgimit, e që sipas tyre tashmë kanë pushuar arsyet për vazhdimin e kësaj mase.

Edhe mbrojtësja e të akuzuarit Edmon Ismajli, avokatja Sadbere Maliqi, ka kërkuar nga gjykata që ndaj të mbrojturit të tij të ndërpritet masa e paraqitjes në stacionin policor.

Ndaj këtyre propozimeve, ka reaguar prokurori Kadriu, i cili ka kërkuar nga gjykata që ato mos t’i aprovojë, e që sipas tij të akuzuarit jetojnë në të njëjtin fshat, dhe se veprat penale mund të përsëriten.

Gjykatësi Zyhdi Haziri ka deklaruar se lidhur me këto propozime do të vendos jashtë seancës gjyqësore.

Gjykatësi Haziri, i ka njoftuar të akuzuarit, bashkë me mbrojtësit e tyre se kanë të drejtën e kundërshtimit të aktakuzës, provave në aktakuzë dhe ligjshmërinë e saj deri më 17 janar 2020.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 16 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj tashmë të akuzuarve, Besir, Samet, Fisnik, Ismet dhe Izri Ismajli, me arsyetimin se ata më 2 maj 2019, rreth orës 9:30, në fshatin Sodovinë e Çerkezëve të Komunës së Vitisë, me dashje, në bashkëkryerje, për motive pasurore – pronësore, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Muhamet Ismajli.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit shkojnë për të punuar në pronën kontestuese, e cila gjendet në afërsi të shtëpisë së tani të ndjerit, dhe i ndjeri me familjarët e tij dalin për të biseduar për të arritur marrëveshje, ku më pas të akuzuarit refuzojnë dhe vazhdojnë me fyerje duke eskaluar situata në konflikt fizik, dhe të akuzuarit me mjete të forta, si drunjë dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit, më pas nga familjarët transportohet në Shtëpinë e Shëndetit në Viti, pastaj si rast urgjent dërgohet në Qendrën Emergjente të Spitalit Regjional në Gjilan, dhe nga aty në transferohet në QKUK në Prishtinë, ku edhe nga mjekët konstatohet vdekja në bazë të Raportit të Autopsisë të Departamentit të Mjekësisë Ligjore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se vdekja e të ndjerit është vdekje e dhunshme, e cila ka ardhur si pasojë dhe si rrjedhojë e gjakderdhjes masive në kokë, si pasojë e thyerjes së kockave të kafkës, ku të gjitha këto me besueshmëri janë shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë mprehtës.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Besmir Isjamli pasi e godet tashmë të ndjerin Muhamet, nga turma i shkaktohet lëndim të rëndë trupor, po ashtu të akuzuarit i shkaktojnë lëndime trupore Kimete Ismajli, Edmond Ismajli, Armend Ismajli dhe Ridvan Ismajli, që sipas ekspertizave mjekoligjore, bëjnë pjesë në dëmtime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Me këtë, Besir, Samet, Fisnik, Ismet dhe Izri Ismajli akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.6 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Edmon Ismajli, me datë, kohë dhe vend si në dispozitivin e parë, për shkak të një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor, me përdorimin e atëçastshëm të dhunës, me dashje u ka shkaktuar lëndime trupore Ismet Ismajlit dhe Fisnik Ismajlit.

Sipas aktakuzës, gjatë kacafytjeve me vegla pune, lopatë, i godet të dëmtuarit-akuzuarit, dhe u shkakton dëmtime të lehta trupore, me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Me këtë, Edmond Ismajli akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi