Zyrtari i PTK-së në Graçanicë dënohet me kusht

Zyrtari i PTK-së në Graçanicë dënohet me kusht

Zyrtari i Postës dhe Telekomit të Kosovës, dega në Graçanicë, Milos Ristiq, është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, pasi e ka pranuar fajësinë për veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Mirëpo, dënimi me kusht ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse brenda periudhës prej dy vjetësh nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Hamdi Ibrahimi i njëjti është obliguar të paguajë paushall gjyqësor në shumë prej 100 euro, si dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit, ndërsa i dëmtuari Dobrivoje Arsiq, është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Gjykatësi Ibrahimi, në arsyetimin e këtij aktgjykimi tha se gjykata kishte gjetur se nuk ishte vërtetuar ndonjë dëm material, përpos tejkalimit të afatit të një ankese, për të cilën i dëmtuari Arsiq, nuk e kishte njoftuar gjykatën për relevancën e atij vendimi se për çfarë ishte ankuar.

Ai tha se gjykatës nga ana e prokurorisë nuk i është thënë se cila kishte qenë lartësia e dëmit të shkaktuar, por sipas tij, ishte vërtetuar se ishin prekur të drejtat e të dëmtuarit për ushtrimin e ankesës së ndonjë vendimi.

Arsyeja e shqiptimit të dënimit me kusht, gjykatësi Ibrahimi tha se kishte qenë për shkak se ishte vërtetuar se kishte pasur dëm, mirëpo nuk ishte vërtetuar lartësia e dënimit material, që sipas tij, gjykata kishte vlerësuar se dënimi më kusht ishte i mjaftueshëm që të vetëdijesohet i akuzuari që të mos përsërisë vepra të tilla penale.

Ndryshe, pasi i akuzuari Ristiq, në seancën e së mërkurës, ka deklaruar se ekzistonte mundësia që ai kishte dorëzuar shkresën zyrtare të të dëmtuarit Arsiq, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Hamdi Ibrahimi, ia shpjegoi atij së për çfarë akuzohet dhe e pyeti të akuzuarin se a e pranon fajësinë pa kushtëzime, ashtu siç thuhet në aktakuzë.

Pas kësaj, i akuzuari pranoi se kishte nënshkruar fletë-dërgesën mbi dorëzimin e shkresës në emër të të dëmtuarit Arsiq, ashtu sikurse ishte theksuar në aktakuzë.

Ai ka thënë se kupton natyrën dhe pasojat e pranimit të fajësisë dhe se për këtë gjykata mund t’i shqiptojë atij një dënim, por se pranimi i fajësisë ishte bërë në mënyrë vullnetare dhe pra presionin e askujt.

Ndërsa, i dëmtuari Dobrivoje Arsiq ka thënë se atij i ishte shkaktuar dëm material për paraqitjet dhe dorëzimin e shkresave në polici dhe prokurori, paraqitjen tek drejtori i PTK-së, si dhe 200 euro biseda telefonike që ia kishte bërë me të akuzuarin në lidhje me dorëzimin e shkresave.

Në fund edhe trupit gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Hamdi Ibrahimi, ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Ristiq.

Prokurori Shkelzen Ibrahimi, ka thënë se nuk kishin ndonjë provë se ndaj të akuzuarit ishte zhvilluar ndonjë procedurë penale ndaj tij, duke kërkuar nga gjykata që të njëjtin a shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Dënimin e të akuzuarit Ristiq e ka kërkuar edhe i dëmtuari Arsiq, i cili ka thënë se shkresa qe atij i kishte ardhur nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, i akuzuari e kishte lënë në shitore dhe se kur ai kishte shkuar për t’ia tërhequr vërejtjen, ai i kishe thënë se e kishte nënshkruar nëna e të dëmtuarit, e cila sipas tij, kishte ndërruar jetë në vitin 1994.

Ai e njoftoi gjykatën se si pasojë e mos pranimit në kohë të kësaj shkrese, kishte humbur të drejtën e ankesës kundër atij vendimi dhe se vendimi i kësaj gjykate do të ketë ndikim në procedurën e ushtrimi të ankesës kundër vendimit.

Ndërsa, i akuzuari Ristiq në fjalën përfundimtare, ka thënë se lidhur me veprimet të cilat ai i kishte ndërmarrë nuk kishte pasur asnjë interes dhe as ndonjë përfitim material.

“Që 10 vite që punoj asnjëherë nuk e kam keqpërdorur punën time, ky ka qenë rasti i parë, nuk kam pasur asnjë dobi nga i dëmtuari apo dikush tjetër, gabimi im i vetëm është se kam dashur të jem i mirë se kur e pash të dëmtuarin mu kujtua e krejt situata sepse Nebojsha me të dëmtuarin kanë ardhur në shtëpinë time për t’ua lënë letrat në kioskë sepse më kanë thënë se jeton në Serbi e në Kroaci”, ka thënë i akuzuari.

Ai ka shprehur keqardhje për veprimet që i kishte ndërmarrë, duke thënë se ai nuk e kishte ditur se do të ndodhte kjo.

“Mua më vjen keq kërkoj falje edhe nga ai, do t’ia kompensoj edhe dëmin, unë prej kësaj pune varem, i kam edhe tre fmi dhe nëse e humb punën nuk kam si t’ia kompensoi të dëmtuarit, nuk e kam bërë me qëllim”, ka deklaruar i akuzuari.

Ndryshe, në këtë seancë ka munguar mbrojtësi i të akuzuari Ristiq, avokati Dobrica Laziq, i cili kishte qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e kishte arsyetuar.

Për këtë arsye, gjykatësi Ibrahimi ia kishte tërhequr vërejtën dhe e kishte udhëzuar të akuzuarin Ristiq që të angazhojë një tjetër mbrojtës, ose të vazhdohet me shqyrtim gjyqësor pasi gjykata prezencën e të dëmtuarit e kishte siguruar përmes ndihmës juridike ndërkombëtare pasi jeton në Kroaci.

Por, i akuzuari Ristiq e ka njoftuar gjykatën se ai nuk kishte angazhuar tjetër mbrojtës për shkak se kishte menduar se mbrojtësi i tij do të jetë prezent në këtë seancë, por i njëjti ka njoftuar gjykatën se mund të vazhdohet me shqyrtim gjyqësor edhe pa prezencën e mbrojtësit të tij.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë më 5 janar 2017, ndaj Milos Ristiq, me pretendimin se i njëjti kishte kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 434 i KPRK-së.

Ristiq, thuhet se në cilësinë e personit zyrtar në Postë Telekomin e Kosovës, dega në Graçanicë, më 14 nëntor 2013, kishte dorëzuar shkresën zyrtare në të cilën kishte shënuar të dhëna të rreme, jo të duhura.

Sipas aktakuzës, Ristiq, kishte pasur për detyrë të dorëzojë një vendim të Gjykatës Themelore, dega në Graçanicë, në adresën e të dëmtuarit Dobrivoje Arsiq, në fshatin Batushë, mirëpo në vend se të kryente punën e tij, i pandehuri thuhet se e kishte falsifikuar nënshkrimin e të dëmtuarit dhe kishte nënshkruar në emër të tij si marrës i vendimit.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti ishte bërë kinse shkresa është dorëzuar në mënyrë të rregullt, ndërsa shkresën, apo fletë-kthesën e Gjykatës, zarfin me aktvendim të Gjykatës e kishte lënë në një dyqan të këtij fshati.

Sipas aktit akuzues, të përpiluar nga prokurorja Ikramije Bojaxhia, Ristiq me këto veprime akuzohet për veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar”. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi