Me kërkesë të prokurorit shtyhet seanca e rigjykimit ndaj Pjetër Ndrecajt

Me kërkesë të prokurorit shtyhet seanca e rigjykimit ndaj Pjetër Ndrecajt

Me kërkesë të prokurorit zëvendësues, Ramiz Buzhala, është shtyrë seanca e rigjykimit ndaj të akuzuarit për vrasje të rëndë, Pjetër Ndrecaj, e paraparë që të mbahej të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Prokurori Buzhala, deklaroi se prokurori i këtij rasti, Ali Uka nuk ka mundur të jetë prezent në gjykatë për shkak se gjendet në Prishtinë, për shkaqe shëndetësore të një familjari të tij.

Ai shtoi se kjo lëndë i është ndarë atij të mërkurën pas orës 9:00 dhe se për këtë shkak nuk është i njoftuar me lëndën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Edhe prokurori i këtij rasti, Ali Uka përmes një parashtrese e ka njoftuar gjykatën që nuk mund të jetë prezent në gjykatë, duke kërkuar shtyrjen e seancës.

Në seancën e së mërkurës ishte e paraparë që jepej fjala hyrëse dhe të vazhdohej me dëgjimin e disa dëshmitarëve.

Gjykatësi Gëzim Pozhegeu, seancat e radhës i ka caktuar që të mbahen më 22, 23 dhe 24 janar 2020.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë, më 2 nëntor 2018, për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, e kishte dënuar Ndrecajn me 24 vjet burgim efektiv.

Ndaj këtij vendimi, kishin bërë ankesë të gjitha palët, përderisa Prokurori i Shtetit dhe pala e dëmtuar kishin kërkuar burgim të përjetshëm, mbrojtja kishte kërkuar një dënim më të butë.

Por, më 1 mars 2019, Gjykata e Apelit, kishte njoftuar se kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe Ndrecajn e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Në komunikatën e Gjykatës së Apelit thuhej se veprimet e të akuzuarit Ndrecaj janë ri cilësuar si “vrasje e rëndë” nga neni 179, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.11., i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), dhe ndaj tij është shqiptuar dënimi me burg të përjetshëm.

Sipas Apelit, gjykata e shkalles së parë, nuk i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë rrethanat rënduese, e ato posaçërisht rënduese dhe se këto rrethana mbizotërojnë shumëfish më tepër se ato lehtësuese.

Mirëpo, më pas Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer rastin në rigjykim, duke prishur kështu vendimet e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe asaj të Apelit.

Kolegji i Gjykatës Supreme, kishte gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se gjykata e shkallës së dytë, në pranimin e këtyre defekteve, në procedurën e pranimit të fajësisë, ka qenë e detyruar që aktgjykimin ta shqyrtojë dhe ta anulojë atë, e jo të kalojë mbi këtë shkelje, e cila është e pranishme dhe që kushtëzon cilësimin juridik, ngase mund të bëhet fjalë për vrasje të rëndë nga neni 179 par.1 nënp.1.11.të KPK-ës, vetëm nëse dy e më shumë vrasje janë kryer me dashje.

Ndryshe, Prokuroria Themelore Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj Pjetër Ndrecajt, për shkak të veprës penale “vrasje e rëndë” nga 179 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, 1.3 dhe 1.11 të KPRK-së, dhe për veprën penale “mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari më 7 gusht 2018, në Gjakovë, në shtëpinë e familjes së  viktimës, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij V.N, dhe vajzën e tij K.N.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka shkuar në shtëpinë e vëllezërve të viktimës i armatosur, ku ka qëlluar më pushkën automatike në drejtim të shtëpisë, si dhe ka qëlluar me armë ish-bashkëshorten dhe vajzën e tij, të njëjtat nga plagët e marra kanë ndërruar jetë. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi