Minishengeni, nismë e parakohshme dhe e rrezikshme për Kosovën

Minishengeni, nismë e parakohshme dhe e rrezikshme për Kosovën

Nga: Prof. dr. Ibrahim GASHI

Iniciativa e Serbisë, e mbështetur nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, për krijimin e një minishengeni ballkanik, sado e justifikuar nga iniciatorët si nismë që është në linjë dhe i kontribuon rajonit në procesin e anëtarësimin në BE, megjithatë, po të analizohet më shumë sens kritik, rezulton se si nismë është e parakohshme dhe krejtësisht e pafavorshme, mbase edhe e rrezikshme për Kosovën, madje edhe për vetë Shqipërinë.

Ideja vjen në një kohë kur ka një ngecje të plotë në procesin e dialogut Prishtinë-Beograd, i cili, sipas diplomacisë perëndimore, po konsiderohet si rruga e vetme për ta ç’ten- sionuar rajonin. Nëse është kështu atëherë pashmangshëm shtrohen së paku dy pyetje kruciale: E para, përse Serbia po insiston në këtë nismë? Dhe, e dyta, përse Shqipëria është rreshtuar në mbështetje të kësaj nisme, kur vendet e tjera të rajonit, përveç Maqedonisë së Veriut, e kanë bojkotuar?

Në pyetjen e parë përgjigjja është më e lehtë. Serbia, përpos interesave të mëdha ekonomike dhe tregtare, mund të thuhet se përmes kësaj iniciative po tenton ta zhvendosë presionin ndërkombëtar për vazhdimin e dialogut më Kosovën dhe duke e pasur Shqipërinë në mbështetje, po provon ta anashkalojë shtetin e Kosovës. Për më shumë Serbia po luan në kartën më të rrezikshme që për shqiptarët në Ballkan duhet biseduar vetëm me Tiranën zyrtare. Kjo përbën sfidën e madhe për politikën shqiptare që do të lidhej me pyetjen e dytë çfarë kërkon Shqipëria në këtë nismë? Përgjigjja në këtë pyetje, siç po shihet, është më komplekse. Justifikimet e kryeministrit shqiptar E. Rama, se rrethanat kanë ndryshuar dhe se ne duhet të shohim përpara, po tingëllojnë jo shumë bindëse, për të mos thënë edhe naive.

Ballkani në përgjithësi dhe shqiptarët në veçanti kanë vuajtur shumë nga ekstremizmi i pushtetit të Serbisë. Madje ky i fundit nuk ka të ndalur. Ai po vazhdon ta pengojë afirmimin e shtetit të Kosovës, të provokojë në mënyrë të paskrupullt viktimat e terrorit dhe gjenocidit serb të viteve 1998-1999 kundër shqiptarëve, duke i quajtur trillime masakrat që i njohu e tërë bota demokratike, pa dallim.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë nismë i ka venë në pozicion tejet të vështirë (të sikletshëm) liderët e shtetit të Kosovës, duke kërkuar nga ata, pa të drejtë, që t’i bashkohen nismës së këtij minishengeni.

Përgjigjja e presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, për të mos marrë pjesë në këtë nismë për shkak të Serbisë, ka shumë sens. Ky bojkotim i Kosovës do të duhej të shërbente si një alarm për Shqipërinë dhe lidershipin e saj që të reflektojë në mosthirrjen e Samitit të ardhshëm, me synim që kjo nismë të dështojë, për arsye të rrezikshmërisë që bartë në vete për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin.