Apeli vërteton se aktakuza ndaj të pandehurit për krim kibernetik

Apeli vërteton se aktakuza ndaj të pandehurit për krim kibernetik

Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë, me të cilin ajo e kishte refuzuar aktakuzën ndaj të akuzuarit për krim kibernetik, Arbnor Morina.

Më 25 shtator 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte rrëzuar aktakuzën ndaj të akuzuarit për krim kibernetik, Arbnor Morina, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kundër këtij aktgjykimi, ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila kishte pretenduar për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

E aprovimin e kësaj ankese e kishte propozuar edhe Prokuroria e Apelit, e cila përmes parashtresës kishte kërkuar që ankesa e Prokurorisë Themelore, të aprovohet si e bazuar dhe aktgjykimi i ankimuar, të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.

Por, kjo ankesë është refuzuar si e pabazuar nga Gjykata e Apelit, me arsyetimin se aktgjykimi i ankimuar është përpiluar sipas dispozitave ligjore.

“Gjykata e Apelit, konsideron se aktgjykimi i ankimuar është përpiluar konform dispozitave ligjore dhe nuk kemi shkelje esenciale për të cilat ka pretenduar prokuroria, sepse gjykata e shkallës se parë drejt ka vlerësuar se ekzistojnë rrethana të cilat e pengojnë ndjekjen penale për shkak të mos respektimit të afateve për ngritjen e aktakuzës”, thuhet në këtë aktgjykim.

Më 25 shtator 2019, pavarësisht pretendimeve të prokurorisë se ka pasur shumë prova në këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë, pa i analizuar provat ndaj Morinës, e ka rrëzuar këtë aktakuzë të prokurores Fikrije Fejzullahu, me arsyetimin se Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte humbur afatin ligjor për ngritjen e aktakuzës.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi, edhe më 17 dhjetor 2018, e kishte hedhur aktakuzën në këtë rast, me arsyetimin se ekzistonin rrethana që e pengojnë ndjekjen penale.

Sipas tij, aktakuza në fjalë ishte ngritur pas kalimit të afatit ligjor dy vjeçar, nga dita kur ishte nxjerrë aktvendimi për fillimin e hetimit.

Në aktvendimin e Foniqit thuhej se ky vendim ishte marrë më 27 prill 2013, ndërsa aktakuza në këtë çështje penale, ishte ngritur më 29 qershor 2015, pra dy muaj e dy ditë, pas kalimit të afatit të paraparë me Kodin e Procedurës Penale.

Por, pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit, më 8 janar 2019, rastin e kishte kthyer në rivendosje, pasi kishte aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ushtruar ndaj aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë, për hudhjen e aktakuzës.

Në arsyetim, Apeli nuk e ka përmendur çështjen e hedhjes së aktakuzës, se ajo ishte ngritur pas kalimit të afatit ligjor, por në të përshkruhej se shkalla e parë ka gabuar në zbatimin e ligjit dhe se në këtë stad të procedurës, ka prova të mjaftueshme për një dyshim të bazuar mirë se i akuzuari ka kryer veprën penale, për të cilat është akuzuar.

Në mars të vitit 2019, emisioni “Betimi për Drejtësi”, kishte realizuar hulumtimin për “Praktikat jo unike gjyqësore për aktakuzat e kundërligjshme”, në kuadër të së cilit ishte trajtuar edhe rasti i kësaj aktakuze. Në këtë emision, kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, kishte deklaruar se konsideron se gjykata që ai udhëheq, ka gabuar kur nuk e kishte hudhur këtë aktakuzë, për shkak se ajo ishte ngritur pas afatit ligjor.

Sidoqoftë, në seancën e 24 shtatorit 2019, kur prokurorja Besa Limani, ka prezantuar fjalën përfundimtare, me të cilën është shprehur se për faktin se ka shumë prova kundër akuzuarit Morina, ai duhet të dënohet.

Ajo në fjalën e saj përfundimtare, kishte thënë se aktakuzën që tash përfaqëson, e ka ngritur prokurorja që aktualisht është e angazhuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) Fikrije Fejzullahu.

“Aktakuzën e ka ngrit kolegia Fikrije Krasniqi-Fejzullahu, tash prokurore në PSRK dhe sa i përket veprimeve të saj lidhur me propozimin për vazhdimin e hetimeve për gjashtë muaj, unë në shkresat e lëndës nuk posedoj diçka të tillë dhe me siguri nuk ka, me vet faktin që nuk gjenden në shkresat e lëndës”, kishte deklaruar prokurorja Limani.

Prokurorja Besa Limani, kishte thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar me shumë prova se i akuzuari është fajtor, duke propozuar që ai të dënohet.

“Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, konsideroj se është vërtetuar gjendja faktike se i pandehuri ka kryer veprën penale që i vihet në barrë. Kjo gjendje faktike është vërtetuar nga deklarata e dëshmitarit Skender Abedini, i cili ka qenë hetues i rastit dhe njohës i lemisë së kibernetikës, i njëjti ka deklaruar se për rastin janë njoftuar nga Dogana e Kosovës dhe janë njoftuar se ka pasur një dërgesë me shumë simbolike. Në emër të Bekim Thaqit, por pas hetimeve e kanë vërejtur se nuk është Bekim Thaqi, por është Arbnor Morina. Policia ka gjet shumë dritare në laptopin e të akuzuarit pasi ka pasur me qindra-mija informata të kartelave bankare të huaja, Evropë, Amerikë e Australi. Propozoj që gjykata ta shpall fajtor dhe ta dënoi sipas ligjit”, kishte thënë prokurorja Limani, në fjalën e saj përfundimtare.

Ndryshe, nga prokurorja, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Lirim Përquku, që në atë seancë ka zëvendësuar mbrojtësin e Morinës, avokatin Xhafer Maliqi, në fjalën e tij përfundimtare kishte deklaruar se kjo procedurë është dashur të pushohet për shkak të shkeljes së afatit për ngritjen e aktakuzës.

Në këtë fjalë përfundimtare, avokati Maliqi, me pretendimin se kjo aktakuzë është e paligjshme, kishte theksuar se nuk ia vlen të merret fare me provat e prokurorisë, duke i propozuar gjykatës që për këtë rast të merret aktgjykim refuzues.

Ndryshe, në seancën e kaluar të mbajtur më 26 gusht 2019, i akuzuari Morina kishte vendosur të mbrohej në heshtje.

Në atë seancë, ishin dëgjuar në cilësi të dëshmitarit dy zyrtarët policorë, Bekim Ademaj dhe Skender Abedini.

Hetuesi në njësinë për krime kibernetike në Policinë e Kosovës, Skender Ibrahimi, që ishte edhe përpilues i kallëzimit penal, kishte thënë se ata kanë kuptuar se Morina përmes identitetit të rremë, me emrin Bekim Thaqi, kishte porositur mallra nga shtete të tjera.

Ai kishte thënë se ky njësit ishte njoftuar nga Dogana e Aeroportit të Prishtinës për një produkt që kishte ardhur nga shteti i Malajzisë, konkretisht një “loptop” dhe një “Iphone 3”, që kishte arritur në emër të Thaqit, por që ishte konsideruar e dyshimtë, pasi çmimet e tyre ishin 24 dhe 35 dollarë.

Siç kishte thënë dëshmitari, pasi kishin shkuar në shtëpinë e Morinës, kishin parë pajisje të ndryshme teknologjike si loptop e telefon, me të cilat dëshmitari kishte thënë, se Morina ka pasur të dhëna bankare dhe personale të shtetasve të huaj, e në veçanti atyre amerikanë e australianë.

Përpos tij, në atë seancë, kishte dëshmuar edhe zyrtari i Agjencisë Kosovare për Forenzikë, Bekim Ademaj, i cili kishte deklaruar se në kompjuterët e Morinës ishin gjetur të dhëna të kartelave bankare të shtetasve të Amerikës dhe Australisë, por më gjerësisht ai kishte thënë se janë sqaruar në raportin me shkrim, që Agjencia i ka dorëzuar Prokurorisë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 qershor 2015, i akuzuari Arbnor Morina akuzohet se prej kohës së pavërtetuar, në vazhdimësi, deri më datën 26 prill 2013, në bashkëkryerje më një person të panjohur ka keqpërdorur kartelat bankare të personave të ndryshëm, në atë mënyrë që paraprakisht e ka falsifikuar një letërnjoftim në emër të Bekim Thaqit, e pastaj duke hyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin kompjuterik ka arritur të merr identitetin e kartelave bankare e të cilat i ka vënë në përdorim, ashtu që përmes tyre ka porositur sende të ndryshme si: laptop, telefona, kompjuterë etj.

Gjithnjë sipas prokurorisë, me këto veprime të të akuzuarit Arbnor Morina, u janë shkaktuar humbje të mëdha firmave të ndryshme, e me datën 26 prill 2013, Dogana e Kosovës ka vërejtur se disa porosi kanë arritur për pranues të dyshimtë dhe se pas hetimit nga ana e personave zyrtar konstatohet se pranuesi kundërligjor është i akuzuari Arbnor Morina.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Arbnor Morina se ka kryer veprat penale “keqpërdorimi i kartelave të bankës apo kreditit” nga neni 307 par. 2 lidhur me par. 3 të KPRK-së, “Prodhimi, posedimi dhe tentativa e paautorizuar” neni 13 par.3 dhe Neni 15 par. 1 i Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Krimit Kibernetik. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi