Vërshima e babadimrave

Vërshima e babadimrave

Ballsor Hoxha

A nuk është çudi vërshima e “babadimrave” në Kosovë për fund të vitit? A nuk është kjo çudi në një shoqëri edhe konservative e edhe tradicionale, dhe aq më shumë me shumicë orientimi religjioz mysliman?

Mirëpo deri para pak vitesh, të festuarit e krishtlindjeve, jo në përpikmëri, por si shenjë e po kësaj shumice mylsimane ka qenë akt patriotik dhe akt i kalimit të saj nëpër tragjedi. Deri para pak vitesh kosovarët kanë festuar krishtlindjet si akt hapjeje dhe simbolizimi të tolerancës së saj. Gjë që ndërtonte në simbolikë vetë përpjekjen kosovare për pranim dhe njohje të saj ndërkombëtarisht si shoqëri të hapur.

Kosova dhe shoqëria e saj, para shumë pak kohe ka pësuar hapje totale të saj dhe me këtë është thyer çdo traditë relativisht tradicionale. Shoqëria kosovare gjendet në dinamikë krijimi dhe ndërtimi të përkatësisë sociologjike, kulturore dhe religjioze. Globalizimi ka tronditur dhe po ashtu ka nxitur nevojën për përkitje si vetëmbrojtje nga flukset e përkatësive. Ka në shoqërinë kosovare edhe ekstremizëm e edhe tolerancë, të dyja në dinamikë të zhvillimeve post hapjes së saj në liri.

Mirëpo në Kosovë shoqëria e saj në masë të madhe ende feston gati se çdo festë. Deri më tani kanë mbetur pa u festuar festa budiste, etj.

Në Kosovë festohet Dita e Evropës, Shën Gjergji që është festë pagane, festohen festat myslimane, festat e krishtera etj. Sigurisht kjo është normale për shoqëritë që përmbajnë komunitete të të gjitha këtyre përkatësive, por ajo që është e vaçantë për shoqërinë kosovare është se të njëjtit festojnë edhe vitin e ri, edhe krishtlindjet e edhe bajramin si festë mslimane, e po ashtu edhe ditën e Evropës. Kjo e veçantë është krejtësisht origjinale dhe e papërsëritshme në vende të tjera. Nuk ka një ngjashmëri me vendet e tjera.

Arsyet për këtë janë: brishtësia e përkatësisë, si religjioze, si kulturore dhe po ashtu edhe sociologjike.

Kosova deri para pak kohe ka pasur të imponuar festat dhe orientimet e majta nën regjimin jugosllav, gjë që ka ndaluar përjetimet e festave religjioze dhe të fushave të tjera.

Pastaj Kosova ka pësuar një hapje totale të shoqërisë së saj. Me këtë mbrojtja dhe aura kulturore e përkitjes në një grup apo orientim shoqëror është thyer dhe nga euforia e lirisë është festuar çdo festë.

Sociologjia dhe dinamika sociologjike në shoqërinë kosovare pas lirisë është duke krijuar veçantësitë dhe përkitjet e saj, mirëpo ende në masë të madhe shoqëria kosovare feston edhe vitin e ri e edhe krishtlindjet.

Sigurisht kjo shpërfaq një karakter krejtësisht të dyshueshëm sociologjikisht dhe të pashpjegueshëm në të vërtetë, mirëpo shoqëritë si kjo kosovare, pre dhe peng i tragjedive biblike, janë të prirur për të çmuar çdo moment shënjimi, apo manifestimi të jetës.

Në të vërtetë ajo që shënjon të festuarit e çdo feste të mundshme, në masë të madhe të përbërjes së shoqërisë kosovare, është fakt i të qenit viktima të privuara nga jeta dhe çmuarja e saj në të kaluarën e saj.

Edhepse e nodhur në rrymën e globalizimit, shoqëria kosovare ka tendencë të të mos harruarit të çmuarjes së jetës përmes festimit të të gjitha festave pavarësisht përkatësisë dhe pavarësisht orientimit. Shoqëria kosovare ka një vetëdije të saj të lindur nën tragjeditë e saj dhe me këtë përpiqet që të mos harroj jetën dhe festën e saj.

Mirëpo derisa ndasitë janë duke u definuar, në të njëjtën kohë është duke ndodhur edhe njëlloj depersonalizimi i karakterit të shoqërisë kosovare në përktije të çdo orientimi dhe përkatësie me të festuarit të çdo feste. Kjo vetëm sa shënjon udhëkryqin ku gjendet shoqëria kosovare, dhe me këtë edhe nevojën për ndërtimin e një shpjegimi të këtyre fenomeneve sociologjike.