Pas përmbytjes

Pas përmbytjes

Nga: Arthur Rimbaud Përktheu: Skënder Buçpapaj

Ende ideja e Përmbytjes nuk ishte fashitur.

Një lepurushe u ndal mes tërfilit dhe lulekëmboreve të dridhshme dhe ia tha lutjen e saj ylberit nëpërmjet pëlhurës së merimangës.

Oh, gurët e çmuar që filluan të fshiheshin – lulet që tashmë çapëlenin sytë.

Në rrugën e madhe të ndyrë lartoheshin tezgat, e barkat qenë tërhequr drejt detit të mbivënë atje lart si të shtampuara në gazeta të vjetra.

Gjaku rrodhi, nga Bubazheli, në thertore, në cirqe, ku vula e Zotit i mavijosi dritaret. Gjaku dhe qumështi rrodhën.

Kastorët ndërtonin. “Mazagranët” nxirrnin avull në taverna.

Në shtëpinë e madhe të qelqeve ende të lagështitur, fëmijët përzishëm shikonin pamjet e mrekullueshme.

Një portë u hap me zhurmë – dhe në sheshin e fshatit, djaloshi rrotulloi krahët, gjithandej nga banderolat dhe zilet e kullave nën dushin e ndritshëm.

Shën Mëria vendosi një piano mbi Alpe. Mesha dhe kungimet e para u kremtuan në njëqind mijë altarë të katedrales.

Karvanët u nisën. E Hotel Mrekullia u ndërtua në kaosin e akujve dhe në natën e polit.

Prej atëherë Hëna i dëgjoi çakallët të përvajeshin në shkretëtirat e trumzës – dhe eklogat i thundronin ankimet në pemishte. Pastaj në pyllin e manushaqtë që zuri të mugullojë, engjelli lajmëtar më tha se ishte pranverë.

Gufon, vorbullën – shkuma rrokulliset mbi ura dhe mbi pyje: pëlhura të zeza e organo – vetëtima dhe bubullima lartohen rrotull: – Ujërat e trishtimet, ngjiten dhe ringjallin sërish Përmbytjet.

Sepse, pas davaritjes, oh! gurët e çmuar të strehuar nën tokë, dhe lulet e çelura! – janë mërzi! Dhe Mbretëresha, Shtriga që ndez thëngjijt e saj në enën prej balte, nuk do të dojë kurrë të na rrrëfejë atë që ajo di, e që ne nuk duam ta dimë.