E akuzuara pranon se ishte pjesë e ISIS-it

E akuzuara pranon se ishte pjesë e ISIS-it

Në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e akuzuara për pjesëmarrje në grup terrorist, Fatbardhë Demolli, është deklaruar fajtore.

Ajo akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, se më 22 shtator të vitit 2014, kishte udhëtuar për në Siri për t’iu bashkuar burrit të saj, i cili vepronte në kuadër të grupit terrorist ISIS, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Haki Gecaj, e akuzuara Demolli ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohej.

“Unë e pranoj fajësinë, jam e pendume. Kam gabu, jam plotësisht e vetëdijshme”, tha ajo.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar mbrojtësja e saj, Seniha Elezi, dhe as prokurori Gecaj, me arsyetimin se është bërë sipas dispozitave ligjore, e të cilin më pas e ka aprovuar edhe gjykata.

Prokurori Gecaj, i propozoi gjykatës që të marr si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarës.

Propozim të ngjashëm me atë të prokurorit bëri edhe mbrojtësja e të akuzuarës Demolli, avokatja Elezi, e cila përpos pranimit të fajësisë, kërkoi nga gjykata të marr parasysh edhe rrethanat tjera lehtësuese si gjendjen e rënduar ekonomike, faktin se e njëjta është nënë e gjashtë fëmijëve, është penduar dhe nuk ka rënë ndesh me ligjin asnjëherë.

“I propozoj gjykatës që me rastin e matjes së dënimit, të mbrojturës sime ti shqiptoj një dënim sa më të butë” tha avokatja Elezi.

Një dënim sa më të butë e kërkoi nga gjykata edhe vet e akuzuara Demolli.

“Unë jam pendu, kam bo gabim dhe nuk mendoj mo kurrë me përsërit këtë gabim. I falënderoj institucionet që na kanë kthy sërish në Kosovë”, tha e akuzuara.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast pritet të bëhet më 10 janar 2020, nga ora 9:00.

Ndryshe, kjo seancë filloi me vonesë, për shkak të mungesës së prokurorit të çështjes Haki Gecaj, i cili më pas sqaroi se nuk ishte ftuar në mënyrë të rregullt për këtë seancë.

“Nuk jam vonuar me fajin tim, unë nuk kamë marr ftesë për këtë seancë”, tha prokurori.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, (PSRK), më 20 dhjetor 2019, kishte ngritur aktakuzë ndaj Fatbardhë Demolli, të cilën e ngarkonte me veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga nenin 143, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kjo pasi që, sipas prokurorisë, e pandehura me qëllim që të marr pjesë në veprimtarinë e grupeve terroriste në ISIS në Siri, kishte udhëtuar përmes Shkupit, për në Stamboll dhe më pas i ishte bashkuar bashkëshortit të saj, Fidan Demolli, i cili vepronte në kuadër të grupit terrorist ISIS.

Sipas aktakuzës, e pandehura kishte qëndruar atje deri në kohën kur ishte burgosur nga forcat kurde, ku  në prill të vitit 2019 edhe kthehet në Kosovë. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi