Rritja e taksës për vizat Shengen e papranueshme, ankohen qytetarët 

Rritja e taksës për vizat Shengen e papranueshme, ankohen qytetarët 

Kosovarët që nga shkurti i këtij viti, për një vizë Shengen do të duhet të paguajnë mbi 30 për qind më shtrenjtë, ose rreth 80 euro. Por, ky vendim i vendeve anëtare të Listës Shengen,  po shihet si e padrejtë nga qytetarët e Kosovës.

Që nga 2 shkurti i këtij viti të gjithë kosovarët që synojnë të aplikojnë për vizë Shengen, do të jenë të detyruar që të paguajnë taksë 33.3% më shumë, ose për vizë do të duhet të paguajnë 80 euro, dhe jo 60 sa është aktualisht. Kjo është e papranueshme për Xheneta Nrecaj, e cila po priste para Ambasadës se Gjermanisë për të marrë vizë pune.

“Normal që nuk është mirë, sepse kërkesat për viza po rriten ndërsa ata vetëm po qesin kushte dhe po i shtrenjtojnë. Kjo është e padrejtë, sidomos për neve të rinjve që kemi vizion të shkojmë jashtë për të punuar, e të paguajmë më shumë, sepse ne edhe jemi studentë", tha ajo.

Edhe Arta Lushaj, e vlerëson si të padrejtë shtrenjtimin e shengen vizave, por thotë se pasi është miratuar nga Këshilli i BE-së, duhet pranuar. Ndërkaq, tha se ky shtrenjtim i ka shuar shpresat për liberalizim të vizave për kosovarët.

“Nuk është e drejtë por është proces që Bashkimi Evropian e ka caktuar dhe mendoj që ata e dinë. Nuk pres liberalizim të vizave, pas kësaj jo", tha ajo.

Ndërkaq, për bashkatdhetarin Bekim Palushi, i cili jeton në Gjermani,  vendimi i Këshillit të BE-së nuk është në rregull për shkak të pagave të ulëta që kanë qytetarët në Kosovë.

“Standardi në Kosovë është i ultë. Unë jetoj në Gjermani dhe e di sa fitoj unë atje dhe sa fitojnë këta këtu. Nëse ne e marrim një vizë për një regjion tjetër paguajmë këtë tarifë, por nuk është asgjë, ndërsa për kosovarët që marrin 150 euro pagë dhe e paguajnë 80 euro një vizë dhe në fund ajo refuzohet, atëherë shkoi muaji kot.”, tha ai.

Ky ndryshim i Rregullores për Viza, është miratuar nga Këshilli i BE-së në qershor të vitit 2019 dhe do të aplikohet në të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Në kodin e ri gjithashtu thuhet se taksa për vizë do të diskutohet çdo tri vjet, nëse çmimi do të mbetet i njëjtë apo do të ndryshohet.  

 

Autor: Kosovare Gashi, Radio Kosova