Gjykata e Tiranës pushon çështjen ndaj Bashës e dy zyrtarëve të PD-së

Gjykata e Tiranës pushon çështjen ndaj Bashës e dy zyrtarëve të PD-së

Gjykata e Tiranës ka marrë vendimin të pushojë çështjen ndaj kreut të Partisë Demokratike Lulëzim Basha dhe dy zyrtarëve Arben Ristani dhe Ilir Dervishi. Tre zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike u akuzuan për falsifikim formularësh në lidhje me lobimin në SHBA.

Në seancën gjyqësore ka marrë pjesë vetëm Arben Ristani, i cili është vetëm një nga tre të akuzuarit, lidhur me kontratat e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shumën e 675 mijë dollarë. Ndërsa kryedemokrati Basha ka zgjedhur të mos jetë i pranishëm në seancën e djeshme.

Raportohet se prokuroria u paraqit me dy qëndrime, njëra ishte që të kthehej çështja dhe tjetra që çështja të shkonte në gjyq. Arben Ristani në një deklaratë për mediat pas përfundimit të seancës shprehu se Gjykata vendosi të pushojë çështjen pasi nuk ka fakte, veprimet e kryera janë të bazuara në ligj ndërsa akuza është montuar politikisht.

“Fakti nuk ekziston, veprimet e kryera nuk janë të rrezikshme por janë normale dhe të bazuara në ligj. Për këtë arsye gjykata vendosi të pushojë çështjen. Prokuroria në këtë rast është një rast i pastër për t’i treguar publikut si shndërrohet një organ i drejtësisë kur frustrohet nga dhuna politike. Prokuroria kërkoi dy gjëra më pas vjen edhe një urdhër i tretë që përjashtonte një prej prokurorëve, pra një çorganizim. Akuzë e montuar politikisht kanë qenë veprime totalisht ligjore nga ana e PD. Sado që të ndikojmë tek drejtësia gjithmonë do ketë njerëz që do japin drejtësi. Drejtësia është ajo që i mungon këtij vendi. PD ka paguar para që rrjedhin nga buxheti i saj dhe që rrjedhin nga KQZ”, shprehu Ristani.