Shabani: KPMSHCK jo funksional, 405 ankesa ende të pa trajtuara

Shabani: KPMSHCK jo funksional, 405 ankesa ende të pa trajtuara

KPMSHCK që nga data 21 janar të vitit të kaluar nuk mund të marrë asnjë vendim sa i përket ankesave të shërbyesve civilë e krejt kjo për shkak që ky këshill nuk është funksional.

Kryetari i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Eshref Shabani në një intervistë  për KosovaPress tha se ky Këshill nuk është më funksional për arsye se anëtarët nuk kanë pranuar t’i nënshtrohen trysnive politike dhe se shumë shërbyes civilë mbesin pa punë nëse Qeveria do t’i ketë vetëm 12 Ministri.

Për të gjithë ata që kanë adresuar dhe vazhdojnë të adresojnë ankesa derisa  KPMSHCK nuk është funksional, Shabani njofton se ato mund të drejtohen edhe në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku në Departamentin për Çështje administrative aktualisht janë 405 ankesa të pa trajtuara.

Shabani thotë se e ka njoftuar me kohë Kuvendin e Kosovës për skadimin e mandatit të anëtarëve dhe për mos funksionalizim e KPMSHCK, ashtu si e kërkon  edhe ligji që tre muaj para skadimit të mandatit të çdonjërit anëtar të njoftohet Kuvendi.

Shabani shprehet i shqetësuar që me krijimin e Qeverisë së re dhe me ristrukturimin e saj, ku supozohet se do të jenë vetëm 12 ministri, shumë shërbyes civilë do të mbesin pa punë.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbim Civil të Kosovës, është institucion që bazën e ka në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës.

Ky institucion përbëhet prej 7 anëtarëve, të cilët emërohen nga Kuvendi i Kosovës.

Kryetari i Këshillit zgjidhet nga vet anëtarët e Këshillit, ndërsa mandati  i të gjithë anëtarëve të Këshillit është 5-vjeçar.

Funksionet e  Këshillit janë të përqendruar në shqyrtimin e ankesave të nëpunësve civil dhe aplikuesve për punësim në shërbimin civil të Kosovës, mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit për shërbimin civil  dhe vëzhgimin e zgjedhjes së nëpunësve civil te nivelit drejtues dhe niveleve të njëjta ne Institucionet e Kosovës.