Politizimi i shoqërive në botë

Politizimi i shoqërive në botë

Ballsor Hoxha

Sot ka dy perspektiva mbi marrëdhëniet globale, ndërmjet shoqërive të shteteve, shteteve me individët dhe individin në perspektivën globale: njëra se marrëdhëniet ndërnjerëzore janë duke u acaruar dhe me këtë politika dhe politizimi i tyre është duke ardhur në rend të parë; dhe perspektiva e dytë se acarimet aktuale janë raporte në zhvillim për kohë të gjatë dhe me këtë nuk paraqesin ndonjë ndryshim dhe as politizim të shoqërisë njerëzore.

Politizimi, në perspektivën e parë, ka ardhur si ankth i njeriut në raportin e globalizimit dhe me këtë shtetet, sidomos ato me fuqi të madhe ekonomike dhe ushtarake, ndiehen të kërcënuara. Kjo ka sjellë deri tek ardhja në pushtet e shteteve më qeveri populiste. Apo në të vërtetë qeveritë populiste janë duke e përfshirë rolin e udhërrëfimit të shoqërive në këtë ankth ndaj globalizimit. Në të vërtetë se qeveritë populiste kanë ardhur në qeverisje si rezultat i këtij ankthi ndaj globalizimit.

Perspektiva e dytë, ajo se në të vërtetë nuk ka një ndryshim global të marrëdhënieve ndërnjerëzore, apo se politizimi është i të njëjtit nivel në njerëzim, e sheh këtë gjendje në atë se acarimet prezente, luftërat dhe kërcënimet ndërmjet shteteve, siç është konflikti SHBA dhe Iran, janë akt i shteteve të fuqishme, dhe në këtë shtetet e vogla dhe shoqëritë e shteteve të vogla nuk kanë lëvizje dhe as ndryshim të raporteve, apo edhe pjesëmarrje në këtë raport. Në të vërtetë, qoftë edhe rritja numrit të qeverive populiste në globalen shihet si raport i gjithëhershëm ndërnjerëzor dhe nuk shihet si ndonjë ndryshim apo edhe fenomen i ri në shoqërinë njerëzore.

Cekur këto dy perspektiva, në të vërtetë, politizimi apomosndryshimi i shoqërisë njerëzore në ndërveprimet e tyre, janë perspektiva të cilat e ndajnë globalizimin dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore në dy pikëshikime të cilat mundtë analizohen përmes thekseve të sociologjisë së shoqërisë njerëzore në bashkëkohësinë tonë. Në të vërtetë globalizimi në fillimin e dekadës së tretë të këtij shekulli duhet shikuar në thekset/shenjat e zhvillimit të tij në bashkëkohësinë tonë, dhe ato janë:

Në masivizimin e qeverive populiste

Në acarimet ndërmjet shteteve të fuqishme dhe të rëndësishme në botë

Në protestat me përmasa globale në vende të shumta të botës

Ndasitë e shumta në shoqërinë botërore, religjioze, klasore, dhe të orientimeve politike, etj.

Këto shenja të renduara japin një pamje të regresit të shoqërisë njerëzore, e qoftë edhe të zhvillimeve të reja si efekt i konflikteve të pazgjidhura në historinë e tyre. Qoftë edhe zhvillimet e reja siç është shenja e protestimit global apo me efekt global në shumë vende të botës, sidomos në vendet e pazhvilluara, mund të shihet si regres në forma të vjetra të shprehjes së pakënaqësisë, apo edhe si shprehje e konflikteve të cilat burojnë nga ngecja në zhvillim e këtyre vendeve dhe këtyre shoqërive, jo politikisht por ekonomikisht.

Në të vërtetë, sot çdo gjë është statistikë, dhe çdo ndodhi është e kalkuluar në efeketin e saj, dhe me këtë çdo gjë shfaqet si fenomen i trajtuar dhe i vënë në perspektivë të trajtimit në pafundësi refleksionesh. Apo në anën tjetër, si shembull fenomeni i protestimit në përmasa globale, ndërlidhet në globale përmes po të njëjtave efekte të teknologjisë. Në këtë njeriu është i detyruar për vëmendje ndaj të gjitha fenomeneve globale dhe me këtë edhe ndaj politikës.

Vetë politizimi është në të vërtetë në historinë e tij, si në Luftën e Ftohtë, në momentet e acarimit të superfuqive, dhe në gjendjet e ankthit global, është regres i cili e përfshinë shoqërinë njerëzore në raporte të acaruara dhe inerte, gjë që devijon dhe mbanë në stagnim shoqërinë njerëzore sidomos në raport me vetë interesin, qëllimin dhe motivin e saj.