Dy vjet burg me kusht të akuzuarës që ishte pjesë e ISIS-it

Dy vjet burg me kusht të akuzuarës që ishte pjesë e ISIS-it

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burgim me kusht të akuzuarën për pjesëmarrje në grupe terroriste, Edonë Berisha, pasi ajo në seancën fillestare të mbajtur më 14 janar, e kishte pranuar fajësinë.Ky dënim me kusht, nuk do të ekzekutohet nëse e akuzuara nuk kryen vepër tjetër penale brenda tre vjetësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj saj është shpallur të mërkurën nga gjykatësja e Departamentit Special, Valbona Selimaj.Gjykatësja Selimaj ka njoftuar se nëse gjatë periudhës verifikuese, e akuzuara Berisha kryen vepër tjetër penale, atëherë në kohëzgjatjen e dënimit do të llogaritet edhe koha që ajo e ka kaluar në arrest shtëpiak.

E akuzuara është obliguar nga gjykata që të përmbushë si detyrim të veçantë, vizitën tek psikologu apo këshilluesi tjetër.Për mbikëqyrjen e zbatimit të kësaj mase, gjykatësja Selimaj ka obliguar Shërbimin Sprovues të Kosovës.Gjykatësja Selimaj ka njoftuar se e akuzuara Berisha do të lirohet nga pagesa e shpenzimeve procedurale për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike.

Sipas saj, palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 30 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Edonë Berisha për shkak të veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2.Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, Edonë Berisha akuzohet se me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste, në atë mënyrë që ka shkuar në Siri dhe i është bashkëngjitur organizatës terroriste, militante, ekstremiste ISIS, duke e përkrahur këtë organizatë dhe veprimtaritë e saj dhe qëllimin që duke luftuar padrejtësisht të detyrojnë qeverinë siriane, e pastaj edhe qeveritë e shteteve tjera që ta lënë pushtetin dhe seriozisht ta destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturën kushtetuese, ekonomike dhe sociale dhe të krijojnë “Shtetin Islamik Iraku dhe Levant”.

Gjithnjë sipas akuzës, pasi që bashkëshorti i të akuzuarës Edonë Berisha, ka vendosur dhe ka shkuar në Siri që t’i bashkëngjitet luftës për “Shtetin Islamik”, edhe pse e ka ditur se veprimi i tillë është kundërligjor, më 26 gusht 2014, e akuzuara së bashku me katër fëmijët e nga shtëpia e saj me një veturë i kishte marrë personi Mendus Selimoviq, e cili i ka dërguar deri në pikën kufitare të Hanit të Elezit, e nga aty me taksi kanë shkuar në aeroportin e Shkupit.

PSRK-ja pretendon se nga aeroporti i Shkupit, kanë udhëtuar për në Turqi, e pastaj në Siri, ku e akuzuara Berisha edhe është regjistruar si pjesëtare e grupi terrorist ISIS, duke e përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave nga Shteti Islamik, i ka ofruar shërbime logjistike bashkëshortit, i cili aktivisht ka luftuar, e gjithë kohën duke e ndërruar vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit brenda Sirisë, derisa është dorëzuar tek forcat kurde në kampin “Roj”, e pastaj nga aty me ndihmën e ushtrisë Amerikane i kanë deportuar në Kosovë, më 22 prill 2019. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi