Mbi 72 mijë persona e vizituan Muzeun e Tiranës për një vit

Mbi 72 mijë persona e vizituan Muzeun e Tiranës për një vit

Muzeu Historik Kombëtar i Tiranës për periudhën janar - dhjetor 2019 ka pasur plot 72. 613 vizitorë.

Shifrat janë publikuar nga institucioni, i cili shprehet mes të tjerave se ka një rrije të numrit të vizitorëve krahasuar me periudhën e mëparshme. “Janar - dhjetor 2019 krahasuar me janar - dhjetor 2018: 72.613 vizitorë ose 19,26 për qind më shumë vizitorë në total. Janar - dhjetor 2019 krahasuar me janar - dhjetor 2018: 44.606 vizitorë ose 34,56 për qind më shumë vizitorë të huaj. Janar - dhjetor 2019 krahasuar me 2018: 10.421.260 lekë ose 19,46 për qind më shumë të ardhura nga biletat”, shkruan MHK-ja.

Më 28 tetor 1981 u inaugurua Muzeu Historik Kombëtar. Për ngritjen e këtij muzeu u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit. Për këtë muze u punua në mënyrë të organizuar, sipas seksioneve përkatëse, për gati 3 vjet, deri në hapjen e tij. Grupi i punës drejtohej nga personalitete të shquara si, Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Burhan Çiraku, Kleanthi Dedi, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksander Meksi etj.

Muzetë historikë kombëtarë janë ndër përçuesit më të rëndësishëm të interpretimit zyrtar të historisë së një vendi, krahas dhe me sistemin kombëtar të arsimimit të tij. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit për kombin si dhe për përcjelljen e këtij vetimazhi te vizitorët dhe në botën e jashtme. Por muzetë dallojnë nga ajo çka jep historia e shkruar, pasi për një muze gjuha e të shprehurit janë objektet muzeore të ekspozuara, shoqëruar me të dhënat për to. Muzeu Historik Kombëtar është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu është konceptuar i tillë, që prezantimi të bëhet nëpërmjet tetë pavijoneve. Trashëgimia kulturore materiale dhe jomateriale e Shqipërisë promovohet nëpër stendat e Muzeut Historik Kombëtar, i cili siguron hapësira të përshtatshme për ekspozimin e koleksioneve.