Integrimi evropian, projekti më i rëndësishëm strategjik për Shqipërinë

Integrimi evropian, projekti më i rëndësishëm strategjik për Shqipërinë

Integrimi evropian mbetet projekti më i rëndësishëm strategjik për Shqipërinë, deklaroi presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili priti sot në takim komisionarin e ri për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Oliver Varhelyi.

Presidenti Meta uroi komisionarin Varhelyi për detyrën e re, dhe vlerësoi angazhimin e tij për përparimin e Shqipërisë dhe të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE.

Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen ndaj Komisionit dhe vendeve anëtare për organizimin e konferencës së donatorëve më 17 shkurt në Bruksel dhe akordimin e ndihmës së 15 milionë eurove, pas tërmetit të nëntorit që goditi Shqipërinë.

Meta theksoi se integrimi evropian mbetet projekti më i rëndësishëm strategjik për Shqipërinë, dhe se përmbushja sa më parë e 9 kushteve të Bundestagut është rruga më e shpejtë për çeljen dhe përparimin e negociatave të anëtarësimit me BE.