Gjimnazi i Drenasit bëhet me laborator të teknologjisë

Gjimnazi i Drenasit bëhet me laborator të teknologjisë

Me investimin e rreth 25 mijë eurove nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, është inauguruar sot laboratori i teknologjisë dhe inovacionit në Gjimnazin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Drenas.

Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala, tha se në bazë të Forumit Ekonomik Botërore, 65% të fëmijëve që hyjnë në klasën e parë do të bëjnë punë që nuk ekzistojnë tash.

“Të gjitha këto punë do të kërkojnë shkathtësi nga teknologjia e informacionit dhe makatronika, andaj ky inaugurim i këtij laboratori është shumë e rëndësishme për të gjitha këto që u thanë më sipër”, ka thënë ministri Shala.

Me këtë rast, ministri ka folur edhe për disa aspekte tjera, që si ekosistem i inovacionit dhe ndërmarrësisë ka rëndësi të madhe ndërlidhja e politikë-bërjes, akademisë me inovacionin dhe ndërmarrësin.

“Para disa muajsh kam thënë se në Kosovë do t’i krijojmë 50 mijë  inxhinierë nga fusha e IT-së dhe mekatronikes. Ne në Kosovë kemi kompani, të cilat i kanë kaluar të gjithë kufijtë dhe sot janë punëdhënës serioz, të cilët po e bëjnë sektorin e shërbimeve ‘ousource’ si sektorin e vetëm me bilanc pozitiv ne eksport”, ka thënë ministri Shala.

Sipas tij, ka kërkesa të mëdha të njerëzve me shkathtësi në ICT, prandaj duhet investuar në këso hapësirash përmes, të cilave do të forcohet talenti i të rinjve tanë.