Galica: Logoja e Tiranës, plagjiaturë nga Fisnik Ismaili

Galica: Logoja e Tiranës, plagjiaturë nga Fisnik Ismaili

Ditë më parë, Tirana kishte shpallur konkursin për logon e Tiranës me rastin e 100-vjetorit të themelimit të këtij qyteti. Në këtë konkurs kishin konkurruar disa kompani të dizajnit grafik. Nga katër finalistët, konkursin e kishte fituar kompania “Karrota” e ish-deputetit të PSD-së, Fisnik Ismailit. Por, pas publikimit të kësaj logoje, ka reaguar profesori i dizajnit grafik, Rrezeart Galica. Ai në një status në Facebook ka shkruar se logoja fituese është plagjiaturë.

“Unë nuk po e akuzoj askënd, por po e konsideroj përzgjedhjen e kësaj logoje, kopje të idesë/konceptit të logos së krijuar nga dizajnerja Rosie Manning, më 13 qershor të vitit 2016. Të festosh 100-vjetorin e themelimit të kryeqytetit shqiptar me këtë logo është vërtetë skandaloze, ndërkaq në konkurrencë kanë qenë dhe logo të tjera të cilat kanë pasur vlera të konsiderueshme për t'u përzgjedhur në vend të kësaj aktuale”, ka thënë Galica për rtklive.

Galica tha se përzgjedhja e kësaj logoje është bërë nëpërmjet duarve të pista të politikës.

“Konsideroj se prapë përmes lidhjeve të pista të politikës dhe të partive e individëve në këto parti në Kosovë e Shqipëri, si dhe lidhjeve të tjera, studioja që ka fituar është plotësisht vlerë e dëshmuar se pa një komision vlerësues jashtë këtyre lidhjeve, nuk mund të kemi një logo që e përfaqëson këtë përvjetor të rëndësishëm për shqiptarët.”

Deri më tash nuk ka pasur ndonjë reagim nga Fisnik Ismaili. Ndërsa, dizajneri grafik Rrezeart Galica është autor i shumë veprave artistike. Galica ka punuar edhe logon e Lëvizjes Vetëvendosje.

https://dribbble.com/rosiemanning/tags/truman?fbclid=IwAR251OuWK73gZdfW77RR-CbtBF-JCdsmsGNqUmFrNfrFLxuQEK_uf-L2Xho