Shefja e FMN-së paralajmëron krizë ekonomike si në vitet e njëzeta

Shefja e FMN-së paralajmëron krizë ekonomike si në vitet e njëzeta

Kryetarja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, ka paralajmëruar se ekonomia globale rrezikon të kthehet në kohën e Rënies së Madhe të viteve të njëzeta të shekullit të kaluar dhe kjo, sipas saj, po nxitet nga pabarazia dhe mungesa e stabilitetit në sektorin financiar.

Duke folur në Institutin Peterson në Uashington, Georgieva tha se sipas hulumtimit të FMN-së, ku u krahasua ekonomia e viteve të njëzeta me ekonominë e sotme botërore, ekziston një atmosferë e ngjashme mes këtyre dy periudhave.

Ajo tha se përderisa pabarazia mes shteteve është zvogëluar përgjatë dy dekadave të fundit, një gjë e tillë është rritur brenda vendeve, duke e veçuar Britaninë e Madhe, të cilën e kritikua për dallimet e mëdha mes shtresave.

“Për shembull, në Mbretërinë e Bashkuar, 10 për qind e njerëzve, të cilët bëjnë pjesë në shtresën më të pasur, kanë kontroll sa gati 50 për qind e popullsisë, që ndodhen në shtresën më të ulët”, shtoi udhëheqësja e njërës prej organizatave më të rëndësishme ekonomike në botë.

“Në një mënyrë, kjo atmosferë shqetësuese na e kujton pjesën e hershme të shekullit XX”, tha Georgieva, duke paralajmëruar se ekonomia do të përballet me probleme të reja, përfshirë emergjencën klimatike dhe luftën tregtare mes vendeve.

Kështu, sipas saj, dhjetë vjetët e ardhshëm mund të karakterizohen me kryengritje shoqërore dhe paqëndrueshmëri të tregjeve, shkruan “The Guardian”.