Tubim në Moskë, përkujtohen vrasjet e dy aktivistëve në 2009-n

Tubim në Moskë, përkujtohen vrasjet e dy aktivistëve në 2009-n

Qindra rusë marshuan në Moskë në një tubim që shënoi 11 vjetorin e vrasjes së avokatit për të drejtat e njeriut Stanislav Markelov dhe gazetares investigative Anastasia Baburova në vitin 2009.

Avokati 34 vjeçar dhe gazetarja 25 vjeçare u qëlluan me armë zjarri dhe u vranë në mes të ditës.

Policia mbajti nën mbikëqyrje tubimin i cili udhëhiqej nga një grup tubuesish që krahas fotografive të avokatit dhe gazetares së vrarë mbanin edhe kopje të kushtetutës ruse.

Një ekspert rus që punon për "Amnesty International" Oleg Kozlovsky, shpërndau një fotografi përmes Twitter-it që tregonte policinë tek ndalonte një person, por sipas tij, ai ishte një kalimtar i rastit.

Stanislav Markelov kishte mbrojtur dhe Anastasia Baburova kishte raportuar rreth vështirësive që hasnin viktimat e ekstremistëve të krahut të djathtë nacionalist. Kritikët e kanë cilësuar vrasjen e tyre si një nga aktet më të pacipa të qeverisë në epokën e Putinit.

Një nga këshilltaret liberale të qytetit të Moskës, Yuliya Galyamina, u kishte kërkuar pjesëmarrësve ta shfrytëzonin tubimin e 19 janarit për të treguar kundërshtimin e tyre ndaj reformave të gjera kushtetuese të propozuara javën e kaluar nga presidenti Putin e që shihen nga disa si një rrugë për ta mbajtur atë në pushtet përtej mandatit të tij të katërt si president.

Disa nga protestuesit në marshimin e 19 janarit mbanin pankarta që bënin thirrje për liri më të madhe në shoqërinë ruse.

Vrasja Stanislav Markelov dhe Anastasia Baburova nxitën akuzat se Kremlini nuk po bën sa duhet kundër sulmuesve të aktivistëve dhe të gazetarëve.

Për vrasjen e tyre në vitin 2011 dënuan dy neo-nazistë të rinj Nikita Tikhonov dhe Yevgenia Khasis. Tikhonov u dënua me burgim të përjetshëm dhe Khasis me 18 vjet i akuzuar se kishte ndihmuar në kryerjen e krimit.

Stanislav Markelov kishte përfaqësuar në cilësinë e avokatit gazetaren investigative Anna Politkovskaya, e cila u vra në vitin 2006, si dhe civilë çeçenë të abuzuar nga trupat ruse.