Shtyhet për kohë të pacaktuar gjykimi për vjedhje të shërbimeve

Shtyhet për kohë të pacaktuar gjykimi për vjedhje të shërbimeve

Në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku i pandehuri Sali Dekaj, po akuzohet për vjedhje të shërbimeve.

Shkak i dështimit të seancës fillestare të së hënës, ka qenë mungesa e të akuzuarit Dekaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Gani Rugova, ka deklaruar se i pandehuri është ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën në seancë nuk e ka arsyetuar.

“Nga fletëkthesa është konstatuar, se i pandehuri gjendët në botën e jashtme, ku gjykata do të kërkojë nga ana e policisë informata shtesë lidhur me vendqëndrimin e të pandehurit”, ka thënë gjykatësi Rugova.

Në këto rrethana, gjykatësi Gani Rugova, tha se seanca e radhës shtyhet në kohë të pacaktuar.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë më 26 dhjetor 2019, duke e akuzuar të pandehurin Sali Dekaj për veprat penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Dekaj në kohë të pavërtetuar e gjerë më 3 janar 2018, në cilësi të shfrytëzuesit të energjisë elektrike, e në kundërshtim me ligjin, me qëllim që vetes t’i sjell pasuri në mënyrë të kundërligjshme, pa autorizim të furnizuesit të autorizuar ka vjedhur energjinë elektrike.

Në aktakuzë thuhet se, i pandehuri të dëmtuarës KEDS, i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 23.73 euro.

Tutje, në aktakuzë, thuhet se i pandehuri, në kohë të pavërtetuar e gjerë më 28 mars 2018, në mënyrën e njëjtë si më lartë ka vjedhur energjinë elektrike.

Sipas aktakuzës, gjatë një kontrolli të bërë nga KEDS-i, më 23 mars 2018, të njëjtit kanë hasur se i pandehuri është shkyçur nga distanca, dhe i kyçur direkt në rrjetin elektrik pa matje, duke i shkaktuar KEDS-it dëm material në vlerë prej 69.88 euro. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi