Promovohet katalogu me dokumente Osmane për të kaluarën e Prishtinës

Promovohet katalogu me dokumente Osmane për të kaluarën e Prishtinës

Komuna e Prishtinës ka shënuar Ditën e Arkivit me promovimin e katalogut të dokumenteve Osmane në Arkivin Komunal të Prishtinës.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti tha se ky katalog tani do tu shërbejë studiuesve për një pasqyrë më të pastër për historianët dhe të gjithë ata që duan të merren me të kaluarën e komunës së Prishtinës e rrethinës.

“Për mua është nder ta promovojmë ketë libër sepse ky është një xhevahir i historianëve dhe lobuesve që duan ta kenë një fotografi të këtyre ngjarjeve. Pas shumë diskutimeve dhe vizitave që i kemi bërë na u është dorëzu një arkiv i kohës otomane dhe të gjitha këto dokumente janë të shkruara në osmanishte, kemi vendosur të bëjmë një katalogim të çdo dokumenti. I kemi bërë 200 ekzemplarë dhe po shpresojmë të bëjmë edhe më shumë ekzemplarë, këtu ka shumë gjëra për të parë që nga problemet nëpër fshatra të Prishtinës e deri tek dokumentet zyrtare, vrasjet e ndryshme, dëmshpërblimet për vrasjet e ndryshme, kushdo që dëshiron të shtjellojë këtë çështje ka çfarë të nxjerrë, jam tepër i lumtur sepse është një libër tepër i vyeshëm për të gjithë”, ka thënë Ahmeti.

Jusuf Osmani ekspert i Arkivës tha se ky katalog do të ndihmojë në qasjen në të kaluarën dhe përmes argumentimit me dokumente do të ndriçohet e kaluara.

“Botuesit e këtij libri i përgëzoj për punën që kanë bërë, në ndriçimin e të kaluarës të kësaj komune dhe më gjerë. Bazuar në atë të kaluar e kaluara e një vendi dhe e argumentuara shtjellohet në bazë të dokumenteve arkivore, edhe arkivi i komunës iu ka qasur të kaluarës të argumentoj të vërtetës shkencore në bazë të dokumenteve arkivore të kohës”, ka thënë ai.

Nënkryetari i Prishtinës Nuredin Nushi tha se ka qenë një punë jo e lehtë por që ky botim shënuar arritje të madhe për Komunën e Prishtinës.

“Filluam ta dizajnojmë në fillim të vitit 2017, kemi vlerësuar se pasurimi i arkivit do ta pasuroj në tërësi arkivin e komunës së Prishtinës. Në maj të 2017-ës kemi organizuar takim më zëvendësdrejtorin e arkivës dhe u dakorduam që dokumentet të na dorëzohen, insistuam t’i marrim këto dokumente, dhe janë kthyer 36 dokumente në Prishtinë. 7519 dosje janë marrë në Prishtinë, të gjitha këto dokumente të arkivuar komuna e Prishtinës ja ka dërguar arkivit të Kosovës me qëllim që të merren me arkivimin e tyre, një kopje e të gjitha këtyre dokumenteve të digjitalizuara gjinden edhe në arkivin shtetërorë të Kosovës. Marrja e këtyre dokumenteve nga Stambolli dhe sjellja në Prishtinë ka qenë një arritur e madhe, komuna e Prishtinës dhe e ka financuar këtë botim dhe ky është botimi i parë i komunës që nga viti 1999”, ka thënë ai.

Recensenti Agron Osmani tha se në këtë katalog ka dokumente të vjetra prej 140 vjetësh dhe janë me tematika të ndryshme që nga vendimet e Sulltanit e deri tek aktivitetet e Sangjakut të Prishtinës, dhe informacione edhe të figurave të ndryshme të kohës siç është Isa Boletini.

“Arkivi shtetëror i Stambollit posedon 150 milionë dokumente arkivore, të më se 40 shteteve, këto dokumente janë në gjuhën osmane. Prishtina si një qytet i lashtë ka prodhuar kulturë të bujshme, një pjesë e të kaluarës falë komunës së Prishtinës është përkthyer që kanë të bëjnë me Prishtinën. Dokumente janë prej 140 vjetësh dhe deri në periudhën edhe të pas largimit të pushtimit osman. Kemi të  bëjmë me tematika të  ndryshme, kemi edhe aktivitetin e sanxhakut të Prishtinës kemi edhe informacione për Isa Boletinin e të tjera”, ka thënë ai.