Ish-punëtori i KEDS-it mohon së përvetësoi paratë e konsumatorëve

Ish-punëtori i KEDS-it mohon së përvetësoi paratë e konsumatorëve

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar që ish-inkasanti i KEDS-it, Arben Berisha, të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Ai akuzohet se kishte marrë të holla nga konsumatorët, kinse në emër të inkasimit për energji elektrike dhe më pas i kishte përvetësuar për vete, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, ai akuzohet se në vazhdimësi kishte mashtruar konsumatorët, pasi që atij i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës, por ai ishte paraqitur si punëtor i KEDS-it, me uniformë të punës.

Propozimin për dënimin e ish-inkasantit Berisha, e ka bërë prokurori i rastit, Haxhi Sinanaj, në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Pejë, në të cilën janë dhënë fjalët përfundimtare, ka dhënë mbrojtjen e tij i akuzuari Berisha, si dhe janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Sipas prokurorit Haxhi Sinanaj, ka provat materiale dhe dëgjimi i dëshmitarëve në tërësi është provuar se qëndrojnë veprat penale të mashtrimit dhe përvetësimit në detyrë.

Sipas tij, detyrë e të pandehurit ka qenë vetëm shkyçja e rrymës elektrike dhe leximi i orëve dhe se detyrë e tij nuk ka qenë të pranojë para kesh nga konsumatorët.

Mbrojtësi i të pandehurit, avokati Selim Lajqi tha se aktakuza e Prokurorisë së Pejës nuk posedon prova të mjaftueshme se i akuzuari nuk ka kryer veprat për të cilat akuzohet, ndërsa konsideroi se deklaratat e dëshmitarëve Egzon Gashi, Ramë Mujaj dhe Qamil Kadrijaj ishin kundërthënëse sa i përket marrjes së parave dhe njohjes me të pandehurin.

Avokati Lajqi, kontestoi edhe veprat penale për të cilat akuzohet i mbrojturi i tij, për shkak se sipas Kodit Penal, siç tha ai, përgjegjësia penale bie te KEDS-i për veprimet e punëtorëve të tij.

Ai kërkoi nga trupi gjykues, që i pandehuri Berisha të lirohet nga aktakuza.

Në seancën e së martës, gjatë mbrojtjes së tij, i akuzuari Berisha ka mohuar se në cilësinë e inkasantit kishte mashtruar dhe përvetësuar paratë e konsumatorëve nga pagesat e tyre për shërbimet me energji elektrike.

Sipas Berishës, të hollat i kishte marrë huazim nga konsumatorët dhe nga disa prej tyre, sipas tij, kishte pranuar pagesa për punën e bërë si instalues i rrymës.

“Unë nuk kam pasur qëllim për t’i mashtruar, por ua kam marrë për punët të cilat i kam kryer si instalues i rrymës dhe në disa raste edhe huazim”, ka deklaruar ai.

Prokurori Haxhi Sinanaj, kërkoi nga i akuzuari të dijë se çfarë detyre kishte pasur në KEDS dhe nëse kishte pasur autorizim të bëjë inksasimin e parave në formën kesh.

“Unë kam qenë si shkyçës dhe lexues i orës, dhe kam pasur autorizim të bëjë edhe inkasimin e mjeteve për energjinë e shpenzuar, nga drejtori i KEDS-it”, tha i akuzuari.

Ai tha se drejtori i KEDS, Betim Elezaj nuk e kishte fol të vërtetën për rastin e tij dhe akuzat ndaj tij.

Ndryshe, në këtë seancë është dëgjuar edhe dëshmitari Ramë Mujaj, i cili deklaroi se në vitin 2018, ia kishte bërë pagesën tani të akuzuarit për rrymën e shpenzuar në shumë prej 70 euro.

Mirëpo, sipas këtij dëshmitari kjo pagesë nuk ishte faturuar për shkak se më pas kishin ardhur disa punëtorë të KEDS-it, për t’ia shkyçur rrymën elektrike.

“Më pas kanë ardh me këput rrymën punëtorët tjerë me pretendimin se unë se kam bërë pagesën. Unë u thash punëtorëve se rrymën e kam paguar të cilët nuk ia kam ditur emrin”, tha ai.

Ai tha se pagesën e kishte bërë tek i pandehuri, përmes pagesës kesh, ndërsa i akuzuari i kishte premtuar se do t’ia binte faturën për shumën e paguar.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të pandehurit Berisha, avokatit Selim Lajqi, dëshmitari  mohoi se paratë e dhëna tek i pandehuri i kishte dhënë hua, por vetëm për pagesë të rrymës.

Mirëpo, pas ballafaqimi me deklaratën e tij në polici, dëshmitari pranoi se të pandehurit i kishte dhënë edhe hua.

Seanca e radhës në të cilin do të shpallet aktgjykimi do mbahet më 22 janar 2020, nga ora 14:00.

I akuzuari në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 20 mars 2019, ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat e prokurorisë.

Sipas aktakuzës të Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 22 shkurt 2019, e ngarkon të pandehurin Arben Berisha se ka kryer dy veprat penale, “përvetësim në detyrë” dhe “mashtrim”.

Ai akuzohet se në periudhën kohore nga 19 dhjetor 2017, deri më 2 mars 2018, në Pejë dhe Istog, përkatësisht në shtëpinë dhe lokalet e të dëmtuarve Ramë Mujaj, Qamil Kadrija, Egzon Gashi dhe Nita Zekaj, si person zyrtar i kompanisë “KEDS”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë financiare, në vazhdimësi kishte përvetësuar pasurinë, e cila i është besuar për shkak të detyrës.

Aktakuza e Prokurorisë përshkruan veprimet e të pandehurit Berisha ashtu që ai kishte vënë në lajthim të dëmtuarin Ramë Mujaj nga Peja, duke ia marrë shumën e të hollave prej 70 euro, Qamil Kadrija shumën prej 50 euro, Egzon Gashit shumën prej 120 euro si dhe Nita Zeka shumën prej 50 euro, të gjitha këto kinse në emër të inkasimit të energjisë elektrike dhe në vend se t’i deponojë pranë zyrave të KEDS-it, i përvetëson për vete.

Me çka, akuzohet se ka kryer veprën penale të përvetësimit në detyrë nga neni 425 par.1 të Kodit Penal.

Kurse, dispozitivi i dytë i akuzës e ngarkon të pandehurin se më 28 maj 2018 në Istog, pasi kompania e KEDS-it kupton për veprimet e të pandehurit dhe ia ndërpret marrëdhënien e punës, më pas i pandeuri keqpërdor uniformën e punës dhe paraqitet si punëtor i KEDS-it, me ç’rast i mashtron  të dëmtuarit Shaban Seferaj dhe Imer Veselaj, duke marrë prej tyre shumën e të hollave prej 70 eurove, kinse në emër të inkasimit të energjisë elektrike.

Me çka, akuzohet se ka kryer veprën penale të mashtrimit nga neni 335 par.1 të Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi