Samiti i Zagrebit shtysë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor

Samiti i Zagrebit shtysë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadoren e Kroacisë në Prishtinë, Danijela Barishiq, me të cilën bisedoi për zhvillimet në vend e rajon, bashkëpunimin midis dy shteteve mike dhe mundësitë e zgjerimit të tyre të mëtejmë.

Konjufca vlerësoi lart marrëdhëniet politike e diplomatike midis Kosovës dhe Kroacisë, duke konsideruar se ka ende hapësira për rritjen dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi në fusha të ndryshme, të cilat duhet të shfrytëzohen në të ardhmen.

Kreu i Kuvendit e konsideroi të rëndësishme përvojën parlamentare kroate dhe sidomos atë të integrimit evropian, të cilat, siç tha ai, mund t’i shërbejnë Kosovës si model në procesin e integrimit euro-atlantik dhe forcimin e mëtejmë të demokracisë parlamentare.

Konjufca theksoi nevojën që Kroacia të vazhdojë të jetë përkrahëse e Kosovës në institucioneve ndërkombëtare, në të cilat vendi ynë aspiron të anëtarësohet.

Ambasadorja kroate, Barishiq shprehu gatishmërinë e shtetit të saj për t’i ofruar Kosovës përvojën në rrugën e integrimit, duke garantuar gjithashtu mbështetjen e Zagrebit zyrtar për Prishtinën në të gjithë mekanizmat relevantë ndërkombëtarë.

Ajo e informoi kryetarin Konjufca për përparësitë e presidencës së Këshillit të BE-së nga Kroacia.

“Nën moton 'Një Evropë e fortë në një botë sfiduese', Kroacia do të trajtojë katër përparësi: një Evropë në zhvillim, një Evropë që lidh, një Evropë që mbron dhe një Evropë me ndikim”, tha diplomatja kroate.

Ambasadorja Barishiq theksoi se Kroacia do të organizojë një samit të vendeve anëtare të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Zagreb në maj të këtij viti dhe shprehu besimin se samiti do të ishte një shtysë për vazhdimin e procesit të zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 


MË SHUME NGA Aktuale