Kurti rikujton situatat në të cilat gjendej Shqipëria 100 vite më parë

Kurti rikujton situatat në të cilat gjendej Shqipëria 100 vite më parë

Lideri i LVV-së dhe i nominuari për kryeministër, AlbinKurti ka vlerësuar se në vitet 1918-1920 Shqipëria ishte më e dobësuar se kurrë, mbretëria serbe kishte pushtuar Kosovën e viset në Maqedoninë e sotme veriore dhe kishte filluar politikat spastruese.

“Bregun jugperëndimor dhe Vlorën i kishte zënë Italia, Shkodrën e Korçën me rrethinë i mbante Franca, e cila i kishte dhënë leje Serbisë të vendosej ushtarakisht në brigjet e Drinit, e në jug Greqia kishte hyrë në fshatra të Gjirokastrës, Korçës e Përmetit”, ka shkruar Kurti në Facebook duke e kujtuar 100 vjetorin e Kongresit të Lushnjës.

Postimi i plotë i Kurtit:

Nëse lufta vjen te ti e ti nuk je pjesëmarrës, atëherë shndërrohesh në fushëbetejën e tjetërkujt. Kjo u ndodhi shqiptarëve në Luftën e Parë Botërore dhe në dy luftërat ballkanike që i paraprinë asaj. Shqiptarët nuk e gjetën unitetin e brendshëm, dhe shpresat për shpëtim i varën gjithnjë te fuqitë e mëdha, prandaj gjatë këtyre luftërave u gjendën të copëtuar, të përçarë e në anarki, si te situata që ndërton Ismail Kadare në librin “Viti i Mbrapshtë”.

Në vitet 1918-1920 Shqipëria ishte më e dobësuar se kurrë. Mbretëria serbe tashmë kishte pushtuar Kosovën e viset në Maqedoninë e sotme veriore, dhe kishte filluar politikat spastruese. Shumë muhaxherë, refugjatë, u drejtuan për në Shqipëri, ku u vendosën e jetojnë edhe sot (një përfytyrim të traumës na e përcjell edhe Jakov Xoxa në romanin e tij “Lumi i Vdekur”). Gjendja sociale ishte ndër më të vështirat, e si të mos mjaftonte kjo, Shqipëria ishte e copëtuar. Bregun jugperëndimor dhe Vlorën i kishte zënë Italia, Shkodrën e Korçën me rrethinë i mbante Franca, e cila i kishte dhënë leje Serbisë të vendosej ushtarakisht në brigjet e Drinit, e në jug Greqia kishte hyrë në fshatra të Gjirokastrës, Korçës e Përmetit.

Një pakt i fshehtë ishte lidhur në Londër në 1915, mes Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë e Italisë. Qeveria e Durrësit vepronte si kukull e fuqive të mëdha, dhe pranonte copëtimin duke ndalur rezistencën. Kush mund ta mendonte në atë kohë se do të mbijetonte dëshira e shqiptarëve për të patur shtet të pavarur?

Por vendosmëria që tejkalon çdo frikë, çdo padurim e çdo lodhje, është formula e vetme e suksesit.

Më 21 janar 1920, pra 100 vite më parë, patriotët shqiptarë pas shumë përgatitjesh, u mblodhën në Lushnjë, në Kongresin e Lushnjës. Aty vendosën të mos ndalen në përpjekjen e tyre politike e ushtarake për drejtësi e liri për shqiptarët. Gjatë Konferencës së Paqes në Paris ata kishin marrë mbështetje nga presidenti amerikan Ëoodroë Ëilson, e kur kishin falënderuar ambasadorin amerikan në Paris dhe i kishin thënë se gjithë shpresën e kishin te Amerika, ai u ishte përgjigjur: “shpresën duhet ta keni te vetja juaj”. Këtë mesazh patriotët shqiptarë e kuptuan mirë, prandaj thirrën Kongresin e Lushnjës ku zgjodhën një qeveri të re e të pavarur, me në krye Sulejman Delvinën. Prej aty dërguan një mesazh përfaqësuesve të huaj, me katër pjesë:

Kërkesa që popullit shqiptar t’i jepej e drejta të rronte në harmoni me fqinjët e tij, pra t’i njihej pavarësia aty ku jetonte.

Kërkesa që Italia të hiqte dorë nga ambiciet territoriale dhe të mbështeste pavarësinë e Shqipërisë.

Mirënjohje për mbështetjen nga presidenti amerikan Ëilson, i cili kishte proklamuar parimet e tij për të drejtën e popujve për vetëvendosje.

Një thirrje botës mbarë për drejtësi për Shqipërinë.

Pas Kongresit pasoi lufta e Vlorës, në po atë vit, ku shqiptarë nga të gjitha anët, edhe pse pa ushtri e pa armatim modern, fituan dhe e çliruan vendin nga një pushtues shumë më i fortë.

Mësimet që mund të nxjerrim nga historia jonë janë shumë. E përkujtojmë me nderim Kongresin e Lushnjës, dhe ua urojmë Shqipërisë e shqiptarëve 100 vjetorin e parlamentarizmit.