Dështon rigjykimi ndaj ish-vozitësve të AKP-së

Dështon rigjykimi ndaj ish-vozitësve të AKP-së

Për të dytë herë më radhë ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimit ndaj ish-vozitësve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Abdurrahim Avdyli, Amir Demolli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha, si dhe ish-punonjësit të kompanisë “Fer Petrol”, Petrit Gjoka e Nexhat Gjoka.

Avdyli, Demolli, Leci, Gashi dhe Dragusha akuzohen se si vozitës në AKP, kishin keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke prezantuar fatura fiktive se gjoja ishin furnizuar me derivate të naftës nga “HIB Petrol”, nga nënkontraktori i saj “Fer Petrol”.

Ndërkaq, Petrit dhe Nexhat Gjoka po akuzohen se si shitës në kompaninë “Fer Petrol”, ua kishin mundësuar këtyre të akuzuarve lëshimin e këtyre faturave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shkak i shtyrjes së seancës të së mërkurës ka qenë mungesa e tre të akuzuarve Abdurrahim Avudyli, Petrit dhe Nexhat Gjoka, si dhe ekspertit financiar Mentor Prekazi.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi tha se tre të akuzuarit si dhe eksperti financiar kishin qenë të njoftuar për seancën e së mërkurës, mirëpo asnjëri prej tyre nuk e kishte arsyetuar mungesën.

Mbrojtësi i të akuzuarit Avdyli, avokati Asdren Hoxha njoftoi gjykatën se i mbrojturi i tij Avdyli e kishte njoftuar se e kishte ngatërruar datën e seancës, mirëpo tha se ai ishte i gatshëm që të lërë punën dhe të paraqitet në seancë pas një ore.

Mirëpo, gjykatësi Foniqi tha se për shkak të mungesës së tre të akuzuarve dhe ekspertit Prekazi i cili kishte qenë i caktuar që të dëgjohet në këtë seancë, nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor.

Ai tha se tre të akuzuarit dhe eksperti financiar do të njoftohen me ftesa të rregullta për seancën e radhës, ndërsa njoftoi se sipas nevojës do të lëshohet edhe urdhëresë për sjellje me shoqërim.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 16 mars 2020, në ora 13:10.

Edhe seanca e paraparë të mbahej më 3 dhjetor 2019, ishte shtyrë për shkak të mungesës së të akuzuarit Petrit Gjoka.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 18 prill 2017, të akuzuarit Abdurrahim Avdyli, Petrit dhe Nexhat Gjoka, i kishte shpallur fajtorë për veprën penale “keqpërdorim i besimit”, dhe secilit veç e veç, u kishte shqiptuar dënim më gjobë në shumë prej 2.000 euro.

Ndërsa, të akuzuarit Amir Demolli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha, në mungesë të provave i kishte liruar nga akuza.

Por, më pas ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, më 28 korrik 2017, pas ankesave të të akuzuarve, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë ishte i paqëndrueshëm, i pakuptueshëm dhe i mangët dhe se nuk ishte kryer ekspertiza financiare, nga e cila do të konstatohej dëmi i shkaktuar AKP-së.

Në gjykimin e kaluar, prokurori Ilaz Beqiri kishte rikualifikuar veprën penale nga keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, në keqpërdorim të besimit, mirëpo në këtë rigjykim për shkak të anulimit të aktgjykimit nga ana e Apelit, tashmë të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Të akuzuar në këtë rast kishin qenë edhe Nebih Murtezi, Mexhid Morina dhe Skender Gajtani, për të cilët prokurori në fjalën përfundimtare ishte tërhequr nga ndjekja penale ndaj tyre, pasi gjatë shqyrtimit gjyqësor sipas tij, nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale.

Sipas akuzës së përpiluar më 8 prill 2015, nga data e pacaktuar deri në përfundim të vitit 2013, Amir Demolli, në cilësinë e ushtruesit të detyrës të mbikëqyrësit të transportit dhe vozitës, Abdurrahim Avdyli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha, vozitës në AKP dhe anëtarë të komisionit për verifikimin e faturave për furnizimin me derivate të automjeteve zyrtare të AKP-së, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Këtë, sipas aktit akuzues e ka bërë në atë mënyrë që duke siguruar e më pastaj duke prezantuar fatura fiktive se gjoja se është furnizuar me derivate të naftës nga kompania e derivateve të naftës “Hib Petrol” dhe nënkontraktori i saj “Fer Petrol”, veturat zyrtare të AKP-së, komisionit, anëtar të të cilit kanë qenë të pandehurit në mënyrë rotative, me ç’rast kanë dëmtuar buxhetin e AKP-së rreth 7.659.00 euro.

Tutje, thuhet se i pandehuri Abdurrahim Avdyli, në periudhën kohore janar-mars 2014, në zyrat e AKP-së në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar, si vozitës në AKP, zyra qendrore në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, në mënyrë të kundërligjshme ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që më parë është furnizuar e pastaj në mënyrë të rrejshme ka prezantuar faturat e komisionit me të cilat gjoja se ka furnizuar me derivate të naftës automjete zyrtare, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e AKP-së rreth 2.800 euro.

Në këtë aktakuzë thuhet se nga data e pacaktuar deri në mars 2014, në pikat e shitjes të “Hib Petrol” dhe nënkontraktorit të saj “Fer Petrol”, të pandehurit Petrit Gjoka, në cilësi të menaxherit, ndërsa Nebih Murtezi, Nexhat Gjoka, Mexhid Morina, në cilësinë e shitësve në pikat e “Fer Petrol”, në Komoran dhe Drenas dhe Skender Gajtani, shitës në “Hib Petrol”, me qëllim që tjetrit t’i mundësojnë përfitimin e dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare duke iu lëshuar fatura fiktive të pandehurve, Rrahim Avdyli, Amir Demolli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha, me ç’rast kanë dëmtuar buxhetin e AKP-së në shumë prej 10.459.00 euro. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi