E akuzuara pranon fajësinë, thotë se ishte gabim i madh shkuarja në Siri

E akuzuara pranon fajësinë, thotë se ishte gabim i madh shkuarja në Siri

E akuzuara Liridona Lutolli e ka pranuar fajësinë për organizim dhe pjesëmarrje në grupin terrorist, në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Agron Bajrami, e akuzuara tha se vullnetarisht e pranon fajësinë dhe se shprehet e lumtur që ishte rikthyer në Kosovë.

“Sot me dëshirë tem e kam pranuar fajin. Atje kam shku pa dëshirën tem, disa herë kam dashtë mu kthy në Kosovë, por nuk kam pas mundësi. Për këtë është e vetëdijshme Ministria e Punëve të Brendshme, që kam kërku ndihmë prej tyne, s’kam mujt me u kthy derisa vendosi shteti me na marr, tash jam e lumtur që jam në Kosovë e shpresoj që nuk do të ndodhë më”, tha ajo.

Pranimi i fajësisë nuk është kundërshtuar nga mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Luljeta Maxhuni, e as nga prokurori Bajrami dhe më pas është aprovuar nga gjykatësja Shadije Gërguri, me arsyetimin se ishte bërë vullnetarisht, pa presion dhe se gjente mbështetje në shkresat e lëndës.

Më pas, prokurori Bajrami i ka propozuar gjykatës që me rastin e vendosjes mbi dënimin të merr parasysh si rrethana rënduese, motivin e kryerjes së kësaj vepre penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarës.

Ndërsa, si rrethana lehtësuese prokurori ka theksuar pranimin e fajit, sjelljen e të akuzuarës pas kryerjes së veprës penale dhe faktin se ajo asnjëherë më parë s’ka rënë ndesh me ligjin.

Edhe avokatja Maxhuni, ka kërkuar nga gjykata që ndaj të mbrojturës së saj të shqiptohet një dënim me kusht, duke pasur parasysh rrethana të tilla.

Në fund, e akuzuara Lutolli deklaroi para gjykatës se ndihej thellësisht e penduar për veprimin e kryer, duke premtuar që më nuk do të përsërisë veprime të ngjashme.

“Jam pendu thellë, kjo është hera e parë që e kam shkel ligjin, ka qenë gabim jashtëzakonisht i madh, dhe premtoj që nuk do të ketë më gabime të tilla”, shtoi e akuzuara.

Paraprakisht, e akuzuara Liridona Lutolli, ka njoftuar gjykatën se tanimë ka ndërruar mbiemrin e saj, nga Lutolli siç figuron në aktakuzë në atë Aliu.

Shpallja e aktgjykimit në këtë çështje penale do të bëhet më 24 janar, nga ora 13:00.

Para fillimit të seancës gjykatësja Gërguri ka kërkuar nga e akuzuara që ta largojë mbulesën gjatë zhvillimit të këtij gjykimi, me qëllim të identifikimit të saj.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 25 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Liridona Lutolli për shkak të veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grupin terrorist”, nga neni 143 par.2 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, Liridona Lutolli akuzohet se më 8 dhjetor 2013, me vetëdije dhe vullnet të plotë, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ka udhëtuar në drejtim të Stambollit-Turqi, nga ku pastaj ka kaluar në destinacionin e saj në Siri, gjegjësisht në zonën e konfliktit.

PSRK-ja pretendon se këto veprime ishin ndërmarrë nga e akuzuara Lutolli, me qëllim që t’iu bashkëngjitej grupeve terroriste ISIS dhe Al-Nusra, të cilat veprojnë në Siri dhe Irak, ku ka qëndruar deri në momentin e kthimit në Kosovë më 20 prill 2019. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi