"Mbi 600 protestues të vdekur gjatë demonstratave në Irak"

"Mbi 600 protestues të vdekur gjatë demonstratave në Irak"

Më shumë se 600 demonstrues kanë humbur jetën për shkak të dhunës nga persona "të pabindur ndaj ligjit" gjatë më shumë se tre muajve në protestat antiqeveritare, tha presidenti irakian, Salih.

Presidenti i Irakut, Barham Salih, njoftoi se më shumë se 600 demonstrues kanë vdekur nga aktet e dhunës të kryera nga "persona të pabindur ndaj ligjit" gjatë më shumë se tre muajve në protestat antiqeveritare në vend.

Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Salih tha se të rinjtë irakianë po protestojnë për një jetë më të mirë, për kushte më të mira të punës, për përmirësimin e sektorit të shërbimeve dhe për t'i dhënë fund korrupsionit i cili prej një kohe të gjatë ka paralizuar vendin.

"Më shumë se 600 demonstrues të pafajshëm dhe paqësorë, shumica të rinj, kanë humbur jetën për shkak të dhunës nga persona të pabindur ndaj ligjit", tha Salih.

Salih tha se protestuesit duan një qeverisje demokratike e cila do t'ua kthejë "dinjitetin e humbur" dhe zgjedhje të lira dhe transparente, duke shtuar se zgjedhjet e parakohshme janë të mjaftueshme për t'u dhënë fund protestave popullore.

Duke folur për thirrjen e parlamentit irakian për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku, Salih tha se kjo nuk është shenjë armiqësie dhe pasigurie, por shtoi se ky hap paraqet një reagim ndaj një gjëje të cilën shumë irakianë e shohin si shkelje të sovranitetit. Ai tha se kjo çështje do të zgjidhet përmes dialogut.

Ndryshe, nga 1 tetori i vitit 2019 Iraku është tronditur nga protestat antiqeveritare kundër korrupsionit, mungesës së infrastrukturës, papunësisë dhe ndërhyrjeve të jashtme në çështjet e brendshme të vendit.

Edhe pse kryeministri Adil Abdul-Mahdi dha dorëheqje më 29 nëntor si pasojë e presionit, qeveria e re ende nuk është formuar dhe Abdul-Mahdi vazhdon të jetë ushtrues i detyrës./aa/