Pendarovski në takim me homologët nga Finlanda, Qipro dhe Gjeorgjia

Pendarovski në takim me homologët nga Finlanda, Qipro dhe Gjeorgjia

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, gjatë pjesëmarrjes në forumin në Izrael me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit ka pasur takime me disa krerë të shteteve pjesëmarrëse në forum.

Në takimin me presidentin e Republikës së Finlandës, Sauli Ninisto, presidenti Pendarovski, siç kumtoi kabineti i tij, u falënderua për mbështetjen parimore për perspektivën tonë evropiane gjatë gjashtë muajve të fundit të presidencës finlandeze me BE-në dhe theksoi se të dy vendet po ndërtojnë marrëdhënie miqësore.

Presidenti Pendarovski në takim me Nikos Anastasijadis, president i Republikës së Qipros, madje shprehu kënaqësi për marrëdhëniet e vendosura diplomatike dhe theksoi se Maqedonia e Veriut është plotësisht e përgatitur për zhvillim të përbashkët të marrëdhënieve miqësore me Qipron në fushat me interes të përbashkët, veçanërisht në kulturë, tregti dhe turizëm.

Me presidenten e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, u shkëmbyen mendime mbi marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve dhe mundësitë për promovimin e tyre, me ç’rast u  theksua nevoja për të krijuar një kornizë ligjore dypalëshe në të gjitha fushat me interes reciprok, si bazë për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e ekonomisë.

Presidenti Pendarovski dje dhe sot në Jerusalem, Izrael mori pjesë në forumin e liderëve me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, 27 janar dhe 75 vjetorit nga çlirimi i kampit nazist, Aushvic-Birkenau.