Rritja e abonentëve të Netflix i tejkalon pritjet

Rritja e abonentëve të Netflix i tejkalon pritjet

Netflix Inc ka shtuar më shumë abonentë sesa që Wall Street priste në tremujorin e katërt pasi u përball me konkurrencë të re nga shërbimet me kosto më të ulët nga Walt Disney Co dhe Apple Inc për herë të parë në luftërat e video-streamingut.

Lideri i media streamingut tha se i ka shtuar 8.76 milionë abonentë pagues globalisht në tremujorin e katërt, të forcuar nga publikime të forta që e përfshinin një sezon të ri të dramës mbretërore “The Crown” dhe dy filma të nominuar për “Oscar” (për filmin më të mirë). Shifra e tejkaloi pritjen e analistëve për një mesatare prej 7,6 milionë, sipas të dhënave të IBES nga Refinitiv – parashikimi i njëjtë i rritjes së Netflix për tremujorin.

Image

Shërbimi Disney+ u lansua në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada më 12 nëntor; i arriti 10 milionë abonime në ditën e parë të lansimit. Apple TV+ u lansua më 1 nëntor dhe është falas për një vit me blerjen e disa pajisjeve të Apple: performanca e tij ka qenë më e vështirë për t’u përcaktuar, shkruan KOHA Ditore.

Netflixi është në dispozicion në mbi 190 vende.

Kompania e pranoi se presioni i konkurrencës do të ketë ndikim në biznesin e saj amerikan, ku rritja e abonentëve ishte pak më e vogël se vlerësimet e analistëve.

Netflixi të martën tha që pret t’i shtojë 7 milionë abonentë globalisht në tremujorin e parë, nën mesataren e analistëve prej 8.82 milionë, sipas të dhënave të IBES nga Refinitiv.

Të ardhurat neto u rritën në 587 milionë dollarë ose 1.30 dollarë për aksion, në tremujorin e katërt nga 134 milionë dollarë, ose 30 cent për aksion, sa ishin një vit më parë.

Të ardhurat totale u rritën në 5.5 miliardë dollarë nga 4.2 miliardë dollarë sa ishin një vit më parë. Analistët mesatarisht kishin pritur 5.45 miliardë dollar.