Shqipëria vlerësohet në panairin e Madridit

Shqipëria vlerësohet në panairin e Madridit

Shqipëria u vlerësua në Panairin e Turizmit në Madrid si shembull i industrisë turistike.

Në takimin e ministrave përgjegjës për turizmin, përfaqësuesve të Komisionit Europian e aktorëve me ndikim në këtë industri, Shqipëria u soll në vëmendjen e të gjithëve për industrinë e konsoliduar turistike dhe solidaritetin e kësaj të fundit në përballimin e situatës pas tërmetit.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u shpreh se, “vendi ynë u prezantua në Panairin e Turizmit në Madrid me shembullin se si hotelet hapën dyert dhe strehuan të dëmtuarit nga tërmeti dhe se si sektori privat dhe publik bashkëpunuan që pasojat e tërmetit të ndihen sa më pak në ekonominë shqiptare”.

“Ne si Shqipëri prezantuam rastin e jashtëzakonshëm të sistemimit të qytetarëve të dëmtuar nga tërmeti i datës 26 nëntor nëpër hotelet shqiptare, duke dëshmuar se industria e turizmit është një industri, e cila është se bashku me industritë e tjera, është aty për të ndihmuar, jo vetëm për të krijuar më shumë vende pune, për të krijuar më shumë ekonomi, por natyrisht për të mbështetur gjithnjë e më shumë ekonominë edhe zhvillimet e qëndrueshme në vendet tona”’.

“Në Panairin e Madridit ku Shqipëria përsëri merr pjesë, që është një nga panairet më të mëdha të Europës madje shumë të rëndësishëm për vendet e Amerikës Latine, por edhe për vendet e e largëta, destinacionet e largëta ne diskutuam me kolegët dhe me Ministrinë spanjolle të Turizmit si Shqipëria, tashmë që kemi ecur goxha përpara në investime në fushën e turizmit, të jetë një destinacion shumë i qëndrueshëm dhe shumë më tepër i vizituar nga turistët spanjoll dhe nëpërmjet Spanjës, që ka një treg shumë të gjerë botëror që janë turizmet e thirrjeve të largëta apo dhe të vendeve që janë shumë më larg se sa vetëm zona e Europës”, tha Klosi.

Ndërsa Drejtoresha Rajonale për Europën e Organizatës Botërore të Turizmit, Alessandra Priante siguroi që do ta mbështesë Shqipërinë në zhvillimin e këtij sektori, si dhe e vlerësoi faktin që shqiptarët u bënë bashkë, që natën e parë të tërmetit, duke bashkëpunuar si sektori privat dhe ai publik.

“Unë jam shumë e lumtur të jem këtu dhe të dëshmoj për iniciativën fantastike, që u organizua nga Ministri Blendi Klosi. Pikërisht disa ditë më parë ne biseduam rreth turizmit, qëndrueshmërisë dhe siolidaritetit. Ne erdhëm si UNWTO dhe ne u mrekulluam jo vetëm nga forca e iniciativës, por dhe nga përgjigja e shpejtë që Shqipëria mundi të merrte nga vendet fqinje dhe jo vetëm. Gjithashtu, ne jemi shumë të impresionuar nga njerëzit, nga sektori privat dhe publik, të cilët u bënë bashkë kaq shpejt. Unë jam italiane  dhe si mund ta dini dhe ne në Itali vuajmë pasojat e një tërmeti dhe të shikosh Shqipërinë që e mori veten kaq shpejt dhe kaq të bashkuar, që në natën e tërmetit, më emocionoi dhe ndonjëherë uroj vërtet, që dhe ne të jemi  pak shqiptarë”, u shpreh ajo. /ATSh