Porti i Durrësit pjesë e guidave me kroçera

Porti i Durrësit pjesë e guidave me kroçera

19 kroçera dhe 430 jahte turistike e kanë përfshirë Portin e Durrësit në guidat e tyre turistike vetëm përgjatë 2019-ës, pjesë e të cilave kanë qenë 4,503 turistë nga vende të ndryshme të botës.

Sipas të dhënave vjetore, 2,104 mjete lundruese, mes të cilave anije tregtare, tragete dhe anije turistike janë përpunuar, si dhe kanë marrë shërbimet portuale gjatë vitit të kaluar në portin e Durrësit.

Sektori i Statistikave në APD, bën të ditur se gjysma e mjeteve lundruese të ankoruar gjatë vitit 2019 në portin e madh të vendit kanë qenë tragetet, të cilat kanë kryer 1,054 lundrime vajtje-ardhje me udhëtarë dhe automjete.

Nga të dhënat portuale, mësohet gjithashtu se numri i anijeve tregtare me mallra dhe konteinerë, të cilat u përpunuan gjatë vitit 2019 arrin në 601 gjithsej.

Ndërkohë në kalatat 4 dhe 5, të destinuara edhe për pritjen e anijeve turistike, gjatë vitit që lamë pas janë ankoruar 19 kroçera dhe 430 jahte të madhësive të ndryshme me turistë nga vende të ndryshme të botës. /ATSh