Pavarësisht cili do të jetë vendimi i radhës, do të bëjmë të njëjtën gjë

Pavarësisht cili do të jetë vendimi i radhës, do të bëjmë të njëjtën gjë

“Pavarësisht se cili do të jetë vendimi i radhës në aspektin e çeljes së negociatave, ose shtyrjes së vendimit, ne do vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë edhe po të hapeshin tashmë negociatat. Ne këtë e bëjmë për veten tonë dhe të ardhmen tonë, nuk e bëjmë se na i kërkon Presidenti i Këshillit, Parisi, apo Haga”.

Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, pas takimit mes tyre në Tiranë.

“Më vjen shumë mirë që ka një qartësi për faktin se reformat po ecin dhe rezultatet e pritura po vijnë dhe do vazhdojnë të vijnë. Kam ndarë me Presidentin edhe ambicien për të hedhur një hap të ri dhe pa humbur kohë në luftën kundër krimit të organizuar dhe KÇK-së. Kështu do të vazhdojmë hap pas hapi”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “kjo që po kalojmë është një fazë që BE-ja ka një diskutim të brendshëm dhe me të gjithë mirënjohjen për vëmendjen që asnjëherë nuk ka munguar, në raport me nevojën time për të përcjellë opinionet e mia, qoftë në Paris apo në kryeqytete të tjera, jam i vetëdijshëm dhe ju duhet të jeni të vetëdijshëm, që nuk varet nga çfarë themi apo bëjmë ne në këtë moment, por varet nga sa dhe si miqtë tanë nga BE-ja do të bien dakord për atë që quhet metodologjia e re dhe cila do të jetë qasja e përgjithshme e BE-së”.

Kryeministri Rama u shpreh se “e kam thënë edhe më parë dhe e përsëris, në këto kushte edhe Franca të ishte duke kërkuar të hynte në BE, nuk do pranohej nga Franca, përpara sesa të bihej dakord se si do zhvillohej procesi. Është një diskutim konceptual brenda BE-së që ne duhet ta respektojmë dhe nga ana tjetër ajo unë konstatova me shumë kënaqësi nga biseda me Presidentin e Këshillit dhe që u tha këtu prej tij, është qasja që ai kërkon të sjellë së bashku me të tjerët, për një dimension të ri në marrëdhëniet mes BE-në dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe social.  Pra, ajo që po ndodh në funksion të një metodologjie te re duhet parë si një mundësi e re për të pasur zhvillime pozitive, jo thjesht në raport me hapjen e negociatave nga pikëpamja formale, por në raport me marrëdhëniet mes nesh dhe BE-së”.

“Nëse çfarë Presidenti shpreh sot si një vizion dhe objektiv do të materializohet në investime të inkurajuara dhe mbështetura nga BE, përmes Bankës Evropiane dhe instrumenteve të tjera, në më shumë mbështetje financiare në vendet e rajonit në funksion të sektorëve kyçë dhe të politikave europiane në tërësi kjo përbën një arsye për të qenë shumë pozitivisht të inkurajuar”, – tha Rama.

Duke folur për Programin e Rindërtimit, Rama theksoi se “ajo që ka rëndësi është që në fund të këtij viti Shqipëria të jetë një vend më i mirë dhe ne të kemi arritur së bashku me Bashkimin Europian si një mbështetës kryesor t’u kemi dhënë atyre që kanë pasur tragjedinë e madhe të nëntorit, drejtpërdrejt në kurriz, jo më vetëm thjesht shpresë, por shtëpi të reja dhe perspektivë të qartë për të hyrë në shtëpi, jo më larg se fundi i vitit të ardhshëm për ata që jetojnë në qytet”.

Kryeministri u shpreh se “dua ta falënderoj Presidentin e KE-së, Michel për ngushëllimet dhe interesimin e posaçëm lidhur me situatën e vështirë të krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit, si dhe për angazhimin e tij personal për të ndihmuar që konferenca e donatorëve e thirrur nga Presidentja e Komisionit Evropian,  në 17 shkurt në Bruksel të jetë një sukses dhe populli shqiptar e në mënyrë të posaçme afro 15 mijë njerëz që kanë humbur strehën të marrin mesazhin e qartë që Europa është pranë dhe nuk do të na lërë vetëm në përpjekjen e madhe për rindërtimin”.

“Natyrisht kemi folur me Presidentin e Këshillit edhe për procesin e reformave dhe ecurinë e procesit të integrimit, kemi ndarë pikëpamjet lidhur me çfarë është arritur deri këtu dhe çfarë duhet arritur më tutje dhe mbi diskutimin e brendshëm në BE për atë që tashmë njihet si metodologjia e re e zgjerimit dhe në tërësi më vjen shumë mirë që Presidenti Michel ka shprehur vullnetin për të qenë posaçërisht i angazhuar për rajonin, jo vetëm në funksion të procesit të integrimit të mëtejshëm individualisht të vendeve , por edhe në funksion të fuqizimit të bashkëpunimit rajonal, por edhe të një qasje të re të Brukselit në raport të zhvillimit ekonomik dhe social të rajonit”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “dua ta falënderoj edhe një herë Michel, sepse sidoqoftë në këtë rol është vetëm në momentet e para dhe ka shumë dosje të rëndësishme në tryezë për të trajtuar dhe fakti që pas një firmosje në orën 1:30 të mëngjesit, lidhur me Britaninë e Madh dhe fakti që sot i ka ardhur në Tiranë për të çelur një fazë të re të dialogut me ne dhe me rajonin, është shumë domethënës për mua”.