Kërkohet dënim për ish-kryetarin e Drenasit dhe ish-drejtorin e Arsimit

Kërkohet dënim për ish-kryetarin e Drenasit dhe ish-drejtorin e Arsimit

Në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është dhënë fjala përfundimtare në rastin ndaj ish-kryetarit të Drenasit, Nexhat Demaku dhe ish-drejtorit të Arsimit në këtë komunë, Sadik Tahiraj, të cilët po akuzohet për keqpërdorim detyre.

Demaku po akuzohet se ia kishte lëshuar akt-emërimin punëtores Berisha, në pozitën inspektore e tregut, pa shpallur konkurs publik, pa iu nënshkruar procedurave të rekrutimit-punësimit, duke i sjell përfitim pasuror në vlerë prej 18,309.01 euro, me ç’rast e kishte dëmtuar edhe buxhetin e komunës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, Tahiraj akuzohet se kësaj punëtoreje ia kishte lëshuar kontratën e punës për edukatore me parafillor në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ali Gashi” në Drenas, pa pasur konkurs publik të shpallur, dhe e kishte punësuar pa përgatitje shkollore adekuate, ku më pas ia kishte lëshuar asaj edhe vendimin për transferim në Drejtorinë e Inspeksionit, si inspektore e tregut, duke e dëmtuar buxhetin e komunës në vlerë 756.18 euro.

Prokurorja Dulina Hamiti në fjalën përfundimtare tha se nga administrimit i provave dhe dëshmive, është vërtetuar se dy të akuzuarit kishin kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Ajo tha se dy të akuzuarit punëtoren Mimoza Berisha e kishin punësuar pa konkurs, fillimisht në Drejtorinë e Arsimit, në cilësinë e edukatores, të cilin vendim e kishte nxjerrë i akuzuari Tahiraj, e pastaj e kishin transferuar në Drejtorinë e Inspeksionit pa konkurs në pozitën e inspektores së tregut, pas aprovimit të kërkesës nga ana e të akuzuarit Demaku.

Sipas saj, është vërtetuar se në këtë rast i ishte shkaktuar dëm Komunës së Drenasit, pasi tha se vet punëtorja Berisha kishte deklaruar se ishte punësuar pa konkurs në këtë komunë dhe se punësimin e saj ia kishin mundësuar dy të akuzuarit.

“Edhe të pandehurit në mbrojtjen e tyre në tërësi kanë pranuar veprime inkriminuese, ashtu siç i kanë cekur në aktakuzë, por kanë mohuar veprën penale për t’i ikur përgjegjësisë penale. I propozoj gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, ka thënë prokurorja Hamiti.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni tha se përfaqësuesit e Komunës së Drenasit ia kishin dorëzuar gjykatës me shkrim një shkresë, në të cilën kishin theksuar se e mbështesin aktakuzën dhe se ishte vërtetuar se dy të akuzuarit kishin kryer veprën penale, duke kërkuar nga gjykata që të njëjtit të shpallen fajtorë.

Për dallim nga prokurorja Hamiti dhe Komuna e Drenasit, mbrojtësi i të akuzuarit Demaku, avokati Gazmend Halilaj, ka kërkuar që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.

Ai ka thënë se prokuroria kualifikimin juridik e kishte bërë në mënyrë të gabuar dhe pa asnjë provë dhe se aktakuza ishte ngritur ndaj një personi që fare nuk kishte mundur të jetë përgjegjës për veprimet e tij, ngase sipas avokatit, çështja e punësimit dhe rekrutimit ishte në kompetencë të zyrës së personelit dhe zyrës ligjore, e jo në kompetencë të kryetarit të komunës.

Sipas tij, i akuzuari Demaku vetëm e kishte nënshkruar akt emërimin e punëtores Mimoza Berisha dhe se në të nuk kishin të bëjnë me punësim të ri, por vetëm me ndërrim të pozitës, sa për të mbuluar përkohshëm pozitën e lirë të punës.

Ai tha se punëtoren Mimoza Berisha edhe kryetari aktual i Drenasit, pas vitit 2016, e kishte mbajtur në punë.

“Nuk janë përmbushur elementet e veprës penale sepse i mbrojturit tim nuk ka dëmtuar apo favorizuar askënd pa bazë ligjore, dhe se nuk i ka sjellur askujt e as veten pasuri të kundërligjshme, por Komunës i ka sjellë përfitime të mëdha sepse askush nuk do të kishte punuar pa pagesë dhe kjo çështje fare nuk është dashur të procedohet në çështje penale por në çështje administrative”, ka thënë avokati Halilaj.

Ai tha se nuk ishte provuar se Mimoza Berisha të kishte pasur ndonjë marrëveshje me të akuzuarin Demaku, apo që ky i fundit të kishte pasur ndonjë arsye personale për punësimin e saj, prandaj i njëjti kërkoi që gjykata të nxjerrë aktgjykim lirues.

Ndërkaq, i akuzuari Demaku tregoi disa nga arsyet se pse sipas tij, ai duhet të shpallet i pafajshëm.

Ai tha se pas ngritjes së aktakuzës nga prokurorja e rastit, ende pa u konfirmuar aktakuza, përmes ish-kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore Imer Beka, me 13 korrik 2018, ia kishte dërguar lëndën Prokurorisë Speciale që ta merr në shqyrtim, duke paragjykuar pozitën e tij si kryetar i komunës edhe pse sipas tij, kryeprokurori i PSRK-së Reshat Millaku e kishte refuzuar këtë propozim.

Pretendimi i prokurorisë se akt emërimi është nxjerrë pa procedura rekrutuese, sipas të akuzuarit Demaku, ishte i pabazë dhe i paqëndrueshëm pasi sipas tij, në bazë të Ligjit për Shërbyesit Civil, vendimet shndërrohen në akt emërime, dhe se nuk mund të shpallen konkurs për akt emërime.

Ai tha se punëtorja Berisha e kishte marrë pagën vazhdimisht, ndërsa i njëjti tha se në shkresën e ish-drejtorit për Buxhet dhe Financa të Komunës së Drenasit, në kohën sa ai nuk ka qenë kryetar, ku e kishte paraqitur pagën e buxhetin, kishte kalkuluar se totali prej 18 mijë euro, sa pretendohet në aktakuzë se ishte dëmtuar komuna, sipas tij, rreth 9 mijë euro ishin paguar pasi ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit.

Sipas tij, vendimin për përfundimin e marrëdhënies së punës për Mimoza Berishen ishte nxjerrë me 7 qershor 2018, nga kryetari aktual Ramiz Lladrovci, kurse kalkulimi i buxhetit ishte nxjerrë me 27 gusht 2018, apo pas dy muajsh pasi kishte përfunduar punën punëtorja Berisha.

“Nga e gjithë kjo nënkupton se Mimoza Berisha kishte punuar vazhdimisht, i është dhënë paga çdo muaj, i janë dhënë edhe punë shtesë dhe pas përfundimit të kontratës të përkohshme i është kalkuluar buxheti i pagave edhe i është kërkuar që të kthehet ai buxhet për shkak se është dëmtuar buxheti i Komunës, për të cilën po akuzohemi edhe ne, do të thotë iu ka dhënë paga, ka punuar, kjo ska logjikë morale e as njerëzore”, ka thënë i akuzuari.

Ai e ka përmendur edhe raportin e auditorit të jashtëm për vitin 2017, në të cilin raport theksohet se Komuna e Drenasit gjatë vitit 2017, kishte angazhuar 21 punonjës me marrëveshje për shërbime të veçanta me kontratë të përkohshme dhe se në këtë raport ishte theksuar se këtyre punëtorëve u ishin vazhduar kontratat pa procedura rekrutuese.

“21 punëtorë nga 3 muaj bëjnë 63 muaj, do të thotë 63 paga, a mund të konsiderohet dëmtim i buxhetit të komunës ky rast në krahasim me rreth 30 paga që i ka marrë Mimoza Berisha? Do të thotë vet auditori e ka cekur se ka procedura rekrutuese i janë vazhduar kontratat, a është vepër penale ky rast, a jem të barabartë para ligjit në këtë rast”, ka thënë Demaku.

Ai tha se për tetë vite mandat si kryetar i Drenasit nuk i kishte marrë 23 punëtorë në punë, aq sa i kishte marrë Komuna e Drenasit për një vit.

I akuzuari Demaku, përmendi edhe raportin e auditorit të jashtëm për vitin 2018, në të cilin raport thuhet se punëtorët e organeve qendrore dhe shtetërore kishin marrë pagë pa shkuar asnjë ditë në punë dhe se për 239 punëtorë ishin paguar 1.294.000.00 euro, pa shkuar fare në punë.

“Asnjëherë në asnjë rrethanë nuk e kam dëmtuar interesin e komunës, përkundrazi kam punuar maksimalisht në interes të qytetarëve. Tri herë kam qenë në garë për kryetar dhe tri herat i kam fituar votat e mjaftueshme dhe besoj që kjo është si rezultat i punës së mirë. Gjykata besoj që do të nxjerrë një vendim lirues ndaj meje”, ka thënë në fund i akuzuari Demaku.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Tahiraj, avokati Blerim Qelaj ka thënë se aktakuza nuk e kishte përmbushur dyshimin e bazuar mirë për të ngritur një aktakuzë, e që sipas tij, nuk ekzistonte asnjë provë që provon se i mbrojturi i tij ishte kryes i veprës penale.

Ai tha se në rastin konkret veprës penale i mungojnë elementet si dashja dhe pasoja, pasi sipas tij, asnjë pasojë nuk ishte shkaktuar për shkak të zëvendësimit të përkohshëm të punëtores Mimoza Berisha në pozitën e edukatores.

Sipas tij, që nga dita kur ishte ngritur kjo aktakuzë i mbrojturi i tij ishte suspenduar nga puna dhe se ishte dëmtuar personalisht dhe familjarisht, pasi ishte mbajtës i vetëm i familjes.

“Prokuroria në rastin konkret nuk ka arritur të paraqes asnjë provë, prandaj propozoj që me rastin e nxjerrjes së vendimit të merren parasysh të gjitha rrethanat e përmendura dhe i akuzuari Sadikaj të lirohet nga përgjegjësia penale”, ka thënë avokati Qelaj.

Ndërsa, i akuzuari Tahiraj ka thënë se veprimet e tij në lidhje me këtë rast kishin qenë të bazuara në ligj dhe në të mirë të institucionit arsimor, pasi sipas tij emërimi i punëtores Berisha nga praktikante në edukatore ishte në të mirë të fëmijëve parashkollor.

“Në këtë rast nuk është dëmtuar komuna, por ka përfituar sepse Mimoza Berisha ka punuar edhe pa pagesë. Pasi ajo kishte bërë edhe kërkesë për transferin në administratë, unë kam qenë i obliguar të lëshojë një vendim të përkohshëm të transferit pasi kërkesën e saj e kishte aprovuar kryetari i komunës, mandej më tutje unë nuk kam qenë në njohuri se si kanë shkuar procedurat rreth punësimit të saj”, ka thënë i akuzuari Tahiraj.

Ai tha se për shkak të suspendimit të tij, ai dhe familja ishin në gjendje të rendë ekonomike, prandaj ai ka kërkuar nga gjykata që të shqyrtojë në përpikëri shkresat e lendes dhe të bjerë një vendim të drejtë, si ai lirues.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni njoftoi se shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet me 28 janar 2020, në ora 13:00.

Në seancën e 21 nëntorit 2018, dy të akuzuarit nuk e kishin pranuar fajësinë për keqpërdorim detyre, ndërsa me 10 dhjetor 2018, kjo gjykatë atyre ua kishte refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, në shkurt të këtij viti, rastin ndaj tyre e kishte kthyer në rivendosje, pasi sipas saj, gjykata e shkallës së parë me rastin e refuzimit të kërkesave të mbrojtjes për hudhje të aktakuzës, nuk kishte dhënë arsye të qarta, por vetëm ka bërë parafrazimin e dispozitave ligjore.

Por, gjykata e shkallës së parë, edhe pas kthimit të lëndës në rivendosje, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj tyre.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 27 shtator 2018, Nexhat Demaku akuzohet se duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si kryetar i Komunës së Drenasit, i kishte tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër.

Ai akuzohet se më 10 mars 2015, ia ka lëshuar akt-emërimin punëtores Mimoza Berisha në pozitën inspektore e tregut në Drejtorinë e Inspeksionit, në Komunën e Drenasit me kohëzgjatje prej 5 mars 2015 deri më 5 mars 2016, si dhe me 20 janar 2016, në kohëzgjatje prej 5 mars 2015 deri më 5 qershor 2018.

Këtë akt-emërim, Demaku akuzohet se ia kishte lëshuar Berishës, në Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës së Drenasit, me titullin e vendit të punës inspektore e tregut, pa pasur konkurs publik të shpallur, duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit-punësimit.

Prokuroria për këtë veprim të tij, pretendon se Berishës i kishte sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm në vlerë prej 18,309.01 euro, ndërsa në këtë vlerë është dëmtuar edhe Komuna e Drenasit.

Lidhur me punësimin e Berishës, prokuroria po ashtu pretendon se ka keqpërdorur detyrën edhe ish-drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Drenasit, Sadik Tahiraj.

Ai akuzohet se më 3 nëntor 2014, ia ka lëshuar kontratën e punës për mësimdhënës Mimoza Berishës me titullin e vendit të punës, edukatore me parafillor në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ali Gashi” në Drenas, si dhe me 3 nëntor 2014 ia kishte lëshuar asaj vendimin, në pozitën edukatore në atë shkollë, pa pasur konkurs publik të shpallur, dhe e kishte punësuar pa përgatitje shkollore adekuate, duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit-punësimit.

Gjithmonë sipas aktakuzës ai me 5 mars 2015, ia kishte lëshuar vendimin Berishës për transferimin e saj në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Drenasit në vendin e punës inspektor i tregut, e me ç’rast Berishës i kishte sjell përfitim të kundërligjshme në vlerë prej 756.18 euro, duke i shkaktuar dem edhe buxhetit të komunës në vlerë prej 756.18 euro. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi