Nigeri, 24 të vdekur nga ethet Lassa

Nigeri, 24 të vdekur nga ethet Lassa

Mbi 100 pacientë janë vendosur në karantinë në qendrat e caktuara të trajtimit në të gjithë vendin, pasi janë infektuar nga sëmundja e shkaktuar nga një virus nga urina e brejtësve.

Të paktën 24 persona e kanë humbur jetën në pesë shtete të Nigerisë që nga shpërthimi i fundit i etheve Lassa në fillim të vitit të ri.

Në një njoftim në faqen e saj të internetit, Qendra Kombëtare e Kontrollit të Sëmundjeve (NCDC) tha sot se numri më i madh i viktimave është regjistruar në shtetin jugperëndimor Ondo me 16 vdekje. Janë raportuar edhe 84 raste të tjera.

Komisioneri shtetëror i shëndetësisë, Salihu Kwaya-Bura, tha se në shtetin verilindor Borno, janë regjistruar 4 raste ndërsa një prej tyre ka vdekur.

Dy mjekë dhe një grua shtatzënë kanë vdekur nga shpërthimi i sëmundjes në shtetin veriperëndimor Kano, tha komisari i shtetit për shëndetësi, Aminu Tsanyawa.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i klasifikon ethet Lassa si një sëmundje akute hemorragjike virale e shkaktuar nga virusi Lassa, një arenavirus që shfaqet me kontaminimin e ushqimeve nga urina e infektuar e brejtësve.

Kontakti me personin e infektuar mund të përhap sëmundjen dhe mund të jetë më e rëndë, paralajmëruan ekspertët mjekësorë.

Ethet Lassa janë endemike në shumë vende afrikane, përfshirë Nigerinë, Ganën, Guinenë, Liberinë, Sierra Leonen, Malin, Togon dhe ndoshta edhe pjesën veriore të Kamerunit.