Pjesëmarrja e presidentit Thaçi në Forumin Ekonomik ka rëndësi të madhe

Pjesëmarrja e presidentit Thaçi në Forumin Ekonomik ka rëndësi të madhe

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në Forumin Botëror Ekonomik të Davosit, i cili mbrëmë ishte kthyer në Kosovë.

Ai ka thënë se në këtë forum ka shprehur edhe një herë synimet e Republikës së Kosovës për një stabilitet të qëndrueshëm ekonomik, për një perspektivë të qartë të integrimeve evropiane dhe për një fqinjësi të mirë ndërmjet të të gjitha vendeve të rajonit.

Ekspertët e ekonomisë e konsiderojnë të rëndësishëm për vendin pjesëmarrjen e presidentit Thaçi në Forumin Ekonomik. Profesori i ekonomisë, Musa Limani, tha për Radio Kosovën se pjesëmarrja e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, në këtë ngjarje, ka rëndësi të madhe politike dhe ekonomike.

“Pjesëmarrja e presidentit të Republikës së Kosovës, në këtë ngjarje, vërteton para botës se jemi shtet i pavarur, dhe është një kundërshtimi i Serbisë,që nuk na njeh dhe lobon kundër pavarësisë së Kosovës, ka thënë Limani.

Ndërkaq ai tha se presidenti në këtë forum është njoftuar me qëndrimet e njerëzve më eminentë mbi politikat, konceptet dhe strategjinë e zhvillimit ekonomik në përmasa ndërkombëtare.

Analisti i çështjeve politike, Milazim Krasniqi, tha se forumi ekonomik botëror në Davos, është njëra nga ngjarjet më të mëdha botërore ku mblidhen njerëz të rëndësishëm. Sipas Krasniqit, pjesëmarrja në këtë forum është e dobishme për vendin.

“Pjesëmarrja e presidentit të Kosovës, padyshim është ngjarje e rëndësishme dhe e dobishme për Kosovën. Mënyra se si seleksionohen të ftuarit në këtë forum, është mjaft rigoroze, dhe them se çdo pjesëmarrje e çdo personaliteti të Kosovës është shumë e rëndësishme për vendin tonë, sepse aty zhvillohen kontakte, ide, këmbehen opinione, vendime, qoftë për aspekte politike qoftë ekonomike.

Ndërkaq presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar për takimet në Davos përmes disa shkrimeve në rrjetin social Facebook. Thaçi kishte shkruar se në të gjitha takimet kishte biseduar për negociata me Serbinë, zhvillimin ekonomik dhe liberalizimin e vizave.

Autor: Arbenita Marmullaku


MË SHUME NGA Aktuale