Roma në alarm dëmtimesh, Fonseca takon Petrachin

Roma në alarm dëmtimesh, Fonseca takon Petrachin

Dëmtimet nuk po lënë të qetë trajnerin Paulo Fonseca, që sot është ulur në një takim me drejtorin sportiv të Romës, Gianluca Petrachi, për të vënë pikat mbi “i” dhe për të kërkuar përforcime në mënyrë të menjëhershme.

Në prag të derbit të kryeqytetit përballë Lazios, tekniku portugez po mendon të aktivizojë sërish Mancinin si mesfushor, pasi së fundi është ndalur edhe Diawara, që i është shtuar listës së gjatë të të dëmtuarve.

Pikërisht për këtë shkak, Fonseca ka kërkuar që të mbyllet sa më shpejt marrëveshja me Elchen për mesfushorin 20-vjeçar spanjoll Gonzalo Villar dhe me njërin prej sulmuesve si Suso, Politano dhe Dilorsun, që janë kandidatë për të zëvendësuar Zaniolon.

Vetë Petrachi ka një akord me Politanon, por vështirë se mund të ulet më në tavolinë me Interin, pas dështimit të shkëmbimit të sulmuesit me Spinnazzolën, ndërsa po mendohet edhe afrimi i një mesfushori me eksperiencë.

Merkatoja e janarit ka hyrë në javën e fundit dhe tani Petrachi duhet të nxitojë, pasi me kaq shumë dëmtime do të jetë e pamundur për trajnerin Fonseca, që të ndërtojë një skuadër të aftë për të arritur objektivin, që është një vend në zonën Champions.