“Gravitet”, shfaqje që pasqyron historinë nëpër të cilën ka kaluar populli

“Gravitet”, shfaqje që pasqyron historinë nëpër të cilën ka kaluar populli

Në mbrëmjen e tretë të Festivalit të Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2020”, që është një nga katër shtyllat e manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2020”, është dhënë shfaqja “Gravitet” me tekst të Lirak Çelajt, regjinë e së cilës e ka bërë Florent Mehmeti, kurse në role janë paraqitur aktorët e Teatrit “Oda” nga Prishtina, Daniela Markaj, Flamur Ahmeti, Kaltrinë Zeneli dhe Leonit Maloku.

Si rëndom në Teatrin e Qytetit në Gjilan edhe këtë mbrëmje salla e ishte e mbushur përplot me adhurues të artit skenik, të cilët pas përfundimit të shfaqjes u kanë duartrokitur aktorëve për lojën e shfaqur.

Në këtë shfaqje, një histori shumëvjeçare e popullit shqiptar është mëtuar të tregohet brenda pak minutave. E përbërë nga skena – kronika reale që kanë ndodhur gjatë historisë sonë që nga periudha e Skënderbeut e tutje, në shfaqje është pasqyruar historia nëpër të cilën ka kaluar populli shqiptar, që nis me epokën e lavdishme të Skënderbeut, por që shpata dhe përkrenarja e të cilit gjendet në Muzeun e Vjenës dhe historia vazhdon deri në ditët tona - historia më e re e Kosovës.

Pashmangshëm, në këtë shfaqje është paraqitur edhe plaga e rëndë e shqiptarëve, që është shpërngulja dhe mërgimi i shqiptarëve, por edhe dëshira për kthim në vendlindje, sidomos kur ajo ishte në rrezik.

Në shfaqje zë vend edhe lufta për liri dhe pavarësia e Kosovës, rikthimi, por edhe pasiguria, mosperspektiva, jeta e rëndë, pamundësia për riintegrim dhe vështirësitë tjera me të cilat u përballën shqiptarët në gjysmëliri.

Pra, në këtë shfaqje hasim në tablo  nga e kaluara dhe e sotmja, që të përbashkët kanë lidhjen, shpeshherë edhe të pashpjegueshme, me atdheun.

Aktorët, katër sish, që gjatë tërë kohës qëndruan në skenë, gjatë tërë kohës sa zgjati shfaqja transformoheshin në personazhe, të cilët lidheshin me aktualitetin e me ngjarjen, kurse për publikun kjo shfaqje ishte e kapshme. 

Te ta shfaqje ngjalli kujtesën me të kaluarën jo të largët, periudhë, të cilën edhe ata vetë e kishin përjetuar.

Edhe skenografia dhe loja me drita ishin në funksion të shfaqjes, e cila i bënë nder Festivalit të Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2020”.

Sipas një njoftimi të komunës, në mbrëmjen e radhës do të jepet shfaqja “Trenat”, autor i së cilës është Haqif Mulliqi, regjisore Zanë Duraku, kurse do të paraqiten aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës.


MË SHUME NGA Kulturë