Rukiqi: Gjykata Komerciale rrit sigurinë juridike për të bërit biznes

Rukiqi: Gjykata Komerciale rrit sigurinë juridike për të bërit biznes

Projekti për Gjykatën Komerciale, duhet të zhvillohet dhe të procedohet përpara. Kështu thonë ekspertët e ekonomisë, duke theksuar se kjo shton edhe sigurinë dhe mund të ndikojë edhe në investimet e huaja në Kosovë. Sipas tyre, në gjykata janë të grumbulluara lëndë të shumta të bizneseve.

Vonesa në trajtimin e lëndëve biznesore në gjykatat e Kosovës, është ndër shqetësimet kryesore të bizneseve që operojnë në vend.  Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, pret nga qeveria e ardhshme që të vazhdojë punën për themelimin e Gjykatës Komerciale, pasi sipas tij, ka ndikim pozitiv në rritjen e sigurisë juridike për të bërit biznes.

“ Siguria juridike mbetet një ndër faktorët kyçë që ndikon në atraktivitetin e vendit për investime. Mendojmë se duhet të vazhdohet projekti për Gjykatën Komerciale, dhe në të njëjtën kohë edhe të forcimit të mekanizmave të arbitrazhit që i kemi, që po bëhen gjithmonë më të rëndësishme kushtet kur kemi një jo-efikasitet të gjykatave në vend”, tha ai.

Edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë se Gjykata Komerciale do të merrej vetëm me lëndët ekonomike të bizneseve. Duke folur për Radio-Kosovën, Shahini thotë se në Gjykatën Themelore ka mjaft lëndë të pazgjidhura të bizneseve.

“Ka pasur tentativa të ndryshme që kjo gjykatë të jetë në funksion të zgjidhjeve të kontesteve. Edhe pse ekziston Gjykata Themelore, ajo ka grumbulluar me mijëra lëndë të pazgjidhura në mungesë të bordit të pavarur, për ankesa dhe parashtresa për të cilën AKB ka kërkuar vazhdimisht që ai bord të funksionalizohet”, tha Shahini.

Zyrtarët vlerësojnë se Gjykata Komerciale është shumë e rëndësishme për Kosovën pasi që ajo do të rrisë efikasitetin e trajtimit të lëndëve të biznesit dhe do të ndihmojë në krijimin e një ambienti më të mirë për bizneset vendore por edhe për investitorët e huaj. Para viteve të ’99-ta, Kosova i ka pasur dy gjykata ekonomike, atë të Pejës dhe Gjakovës. Ndërsa sot, Kosova ka një departament në Gjykatën Themelore, që i ka pesë gjyqtarë që merren me çështjet ekonomike dhe një gjyqtar në Apel. 

 

 

Autor: Majlinda Doda