Selmani:Qeveria në detyrë ta miratojë buxhetin që të mos ketë kolaps shteti

Selmani:Qeveria në detyrë ta miratojë buxhetin që të mos ketë kolaps shteti

Vonesa e krijimit të institucioneve, largimi i mjekëve nga Kosova si dhe mbyllja e disa klinikave në mungesë të mjekëve në disa qytete të Kosovës, janë vetëm disa nga problemet me të cilat po ballafaqohet shëndetësia kosovare. Për me gjerësisht mund ta lexoni intervistën me nënkryetarin e Sindikatës së Shëndetësisë, dr. Xhemajl Selmani, të realizuar nga gazetarja Vaide Morina.

Radio Kosova: Dr Selmani, mos krijimi i institucioneve të vendit që nga zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar e deri më tani, sa mund të shkaktojë pengesa në zhvillimin e sektorit të shëndetësisë në vend?

Momentalisht ende jemi duke funksionuar me buxhetin e vitit të kaluar. Mangësi edhe mungesa ka pasur në vazhdimësi në sistemin shëndetësor, por po funksionojmë ashtu siç jemi mësuar qe 20 vite. Por, nëse nuk miratohet buxheti për këtë vit, sigurisht që do të ngecë edhe në furnizimi me materialë shpenzues edhe më barna, dhe me të gjitha. Kështu që do të krijohen pamundësi më të mëdha për të funksionuar normalisht ose për të kryer punët tona ditore të cilat i kemi në sistemin shëndetësor. Ndërsa, për sa i përket aspektit tjetër të çështjeve sociale ose pagesave të cilat duhet t’i bëhen stafit shëndetësor, sigurisht se mund të shkaktojë edhe trazira sociale.

Radio Kosova: Sindikalistët e shëndetësisë, arsimit dhe ata të policisë, javën e kaluar patën një takim me kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Cilat janë gjasat që Kosova të ketë miratim të buxhetit për vitin 2020?

Po, kemi pasur takim. Kryeparlamentari pozitivisht e ka mirëpritur dhe ka thënë që ditëve në vijim do të mundohet  ta trajtojë si çështje. Por, shpresoj se edhe qeveria që është në detyrë të përgatisë buxhetin dhe të paktën unë nuk e di ligjërisht se si funksionon kjo çështje, por ishte dashur që këta deputetë të kësaj legjislature ta miratojnë buxhetin. Kështu që, po shpresojmë që t’i thërrasin arsyes, t’i thërrasin ndërgjegjes që mos ta çojnë në kolaps shtetin.

Dr Selmani, një brengë tjetër që vlen të përmendet është largimi i mjekëve nga Kosova.  A mund të themi se  Kosova po rrezikohet të mbetet pa kuadër të kualifikuar?

Ne, si organizatë sindikale e kemi alarmuar këtë problem dhe ne po ashtu e kemi bërë edhe një studim në vitin 2014 lidhur me nevojat që i ka sistemi shëndetësor, sipas standardeve të OBSH-së. Në atë kohë patëm arritur në konkluzion që sistemit shëndetësor i mungojnë të paktën 5 mijë punonjës vetëm për ta stabilizuar si sistemin dhe për të arritur standardet botërore të shërbimit për kokë banori. Dhe ato standarde as për afërmi nuk jemi duke i plotësuar. Po ashtu, është edhe fakti tjetër qe e potencuat edhe ju, që ne kemi edhe të papunë dhe duke marrë parasysh që edhe njerëzit që i kemi në sistem po na ikin, po krijojnë deficite shumë të mëdha. Nëpër regjione, nëpër qytetet e mëdha aty ku funksionon edhe sistemi shëndetësor sekondar, vetëm kanë filluar të mbyllen klinikat, për shkak të daljes në pension të kolegëve tanë ose për shkak të ikjes së specialistëve të rinj në botën e jashtme. Fakt tjetër shqetësues është edhe mosha mesatare, e kemi alarmuar që nga viti 2014-të këtë çështje dhe janë ndërmarrë hapa shumë të pakët drejtë ripërtëritjes së stafit shëndetësor. Stafi i lartë shëndetësor, mjekët specialistë nuk mund të bëhen brenda natës. Duhet ta dinë mirë këta qeveritarë dhe ata mbajnë përgjegjësinë nëse sistemi shëndetësor vije në kolaps për shkak të resurseve humane. Ne kemi informacione edhe nga shokët tanë ku lëshohen letërnjoftimet dhe pasaportat, që është e dhimbshme ku vetëm brenda dy ditëve pas vitit të ri, me datën 3 dhe 6 janë, lëshuar 700 pasaporta të të rinjve, të cilët duan të largohen nga vendi ynë, njerëz të cilët janë të interesuar të marrin viza pune.  

Radio Kosova:Pas miratimit të ligjit  të ri për punësim të Qeverisë Gjermane, ne ishim  të Ambasada Gjermane dhe pamë një interesim të shumët te të rinjtë për të ikur nga Kosova, sidomos të mjekëve. Sa mund të shkaktojë kjo situatë zbrazëtira në këtë sektor për vendin tonë?

Ne në vazhdimësi i kemi alarmuar qeveritarët tanë për këtë çështje. Por, si duket qeveritaret tanë nëpër të gjitha fushatat elektorale premtonin nga 200-200 mijë vende të reja të punës. Ndoshta ata kanë menduar për vendet e punës që do i krijojë Gjermania.

Dr, viti 2000 ishte vit i kthimit të bashkatdhetarëve që jetonin në vendet e Evropës, ndërsa tani jemi në vitin 2020 dhe jemi dëshmitarë që Kosova po zbrazet. Kujt i adresoheni për këtë situatë të krijuar?

Ne në vitin 2000 e kemi pasur një perspektivë të hapur, sepse jemi liruar nga një armik shekullor dhe nuk e kemi llogaritur që mund të zhgënjehemi në prijësit tanë, sepse me politika  shkurtpamëse, na kanë pru në një gjendje që nga dëshpërimi dhe zhgënjimi të ikim dhe të kërkojmë perspektiv prapë në vendet prej nga kanë ardhur.

Dr Selmani, faleminderit për intervistën dhe çka do thoni për fund për dëgjuesit e Radio Kosovës?

Uroj që këta politikanë që po udhëheqin vendin tonë, të kthjellen dhe duhet të dinë se në vota pjesëmarrës janë  vetëm 30% të votuesve. Duhet ta dinë që ato vota nuk i kanë prej krejt popullit dhe ata duhet të vendosin në të mirë të këtij populli, qe të fillojë të eci për së mbari ky vend. Fajtorë për ardhjen në këtë gjendje të shtetit tonë të ri janë ata.

 

 


MË SHUME NGA Intervista