Sejdiu: Kosova ka rreth 15 për qind të mjekëve të cilët janë të papunë

Sejdiu: Kosova ka rreth 15 për qind të mjekëve të cilët janë të papunë

Në mungesë të mjekëve, janë mbyllur disa klinika në spitalet e Gjakovës, Pejës dhe Gjilanit, përderisa në Kosovë janë rreth 600 mjekë të papunë. Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, tha për Radio Kosovën se kjo situatë ka ardhur si pasojë e mos planifikimit adekuat nga institucionet lokale dhe qendrore.

Sistemi shëndetësor po përballet me probleme të shumta, të cilat kërkojnë vëmendje serioze nga  institucionet e vendit, tha kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, dr. Pleurat Sejdiu, dhe theksoi se këtë e dëshmon edhe mbyllja e disa klinikave në spitalet e nivelit sekondar.

Jo vetëm Gjilani, por edhe Gjakova ka reparte edhe Peja është para mbylljes edhe ka mbyllë reparte. Kështu që është një alarm dhe ne nuk merremi me këtë alarm, alarmi do të jetë problem kryesor në Kosovë. Duhet të theksohet se në Pejë është mbyllur Klinika Infektive.

Derisa klinikat po mbyllen në mungesë të mjekëve, në anën tjetër Kosova ka rreth 15 për qind të mjekëve të cilët janë të papunë, tha Sejdiu.

Ne e kemi informuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë se kemi mbi 600 mjekë të papunë, dhe kjo do të thotë se rreth 15 % e mjekëve të diplomuar janë të papunë dhe kushdo që dëgjon për një shifër të tillë, kjo është e pakuptueshme.

Shqetësime për probleme të tilla shprehin edhe sindikalistët e shëndetësisë. Nënkryetari i sindikatës, Dr. Xhemajl Selmani, tha se përgjegjësit institucionalë  duhet të dinë se mjekë specialistë nuk mund të bëhen brenda natës.

Duhet ta dinë mirë këta qeveritarë dhe ata mbajnë përgjegjësinë nëse sistemi shëndetësor  vije në kolaps  për shkak të resurseve humane. Ne në vazhdimësi i kemi alarmuar qeveritarët tanë për këtë çështje. Por, si duket qeveritaret tanë nëpër të gjitha fushatat elektorale premtonin nga 200-200 mijë vende të reja të punës, ndoshta ata kanë menduar për vendet e punës që do i krijojë Gjermania.

Dr. Sedjiu tha se në Odën e Mjekëve të Kosovës, vetëm në dy vitet e fundit mbi 220 ekspertë mjekësorë kanë lenë vendet e punës për të punuar në vendet e Evropës.

 

Autor: Vaide Morina