Ujësjellësi “Prishtina” shkyç konsumatorët me borxhe mbi 100 euro

Ujësjellësi “Prishtina” shkyç konsumatorët me borxhe mbi 100 euro

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se po zhvillon aksionin shkyçjen individuale të konsumatorëve borxhlinj nga shërbimet e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit për shkak të mospagesave .

Kjo vlen për të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit si Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Lipjan, Drenas, Podujevë, Shtime dhe Graçanicë.

Sipas ujësjellësit, nga dita e sotme do të shkyçet secili konsumatorë që ka borxhe ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit, 100 euro e lartë.

“KRU ‘Prishtina’ pavarësisht rënies së nivelit të ujit në liqenet akumuluese Batllava e Badoci prej mbi 10 metra nga kuota maksimale e kapërderdhjes, po mundohet të mos e dëmtojë konsumatorin në marrjen e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe do të tentojë maksimalisht që të mos aplikojë reduktime deri në momentin ku do të jetë i pamundur një furnizim me ujë pa reduktime, si shkak i mungesës së reshjeve atmosferike. Andaj, menaxhimi i sistemit të ujësjellësit të Prishtinës për të pasur ujë të mjaftueshëm dhe të pastër, kushton! Uji në krojet tona është një proces që kushton ( energji, pompa, pajisje, kimikate, gypa, derivate, fuqi punëtore dhe investime). Paralajmërojmë sërish konsumatorët borxhlinj ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit se kanë obligim ligjorë që të paguajnë faturat dhe borxhin e akumuluar” thuhet në komunikatë.

Me shkyçje do të përballet secili konsumatorë që ka borxh mbi 100 euro ndaj shërbimeve të ujit.

Borxhi total i konsumatorëve ndaj shërbimeve për ujë dhe kanalizim është mbi 46 milion euro.